Megjithëse Athina zyrtare e konsideron edhe këtë herë si tepër serioze agjendën e vizitës dyditore të kryeminstrit Tsipras në Turqi, sikurse në shumicën e takimeve dypalëshe të udhëheqësve greko-turk nuk ka pritshmëri të mëdha dhe optimiste.
Tsipras thuhet se do t’i shtrojë përsëri Erdoganit çështjen e Egjeut, duke i kërkuar atij të qetësojë tensionet e shkaktuara nga shkeljet e përditshme të hapësirës ajrore greke, nga ana e avionëve ushtarakë turq.
Gjithashtu do të diskutohen çështjet e mprehta të krizës së emigracionit, marrëdhëniet e acaruara të Ankarasë me BE-në dhe do të synohet përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe.
Orët e fundit, në një mbledhje me ekspertët e Ministrisë së Jashtme, të Mbrojtjes dhe të Ekonomisë, kryeministri Tsipras është përgatitur edhe për përballimin e kërkesave të palës turke, që kanë të bëjnë me çështjen e Zonës Ekonomike Ekskluzive (ZEE), çështjen qipriote, atë të minoritetit mysliman në Trakë, si dhe dorëzimin e 8 ushtarakëve turq, që u arratisën në Greqi pas tentativës për grusht shteti.
Tsipras do të takojë presidentin Erdogan në Ankara, ditën e martë, e pas takimit do të pasojë edhe një konferencë për shtyp. Ndërsa të mërkurën, ai do të shkojë në Stamboll, ku do të takojë Patriarkun Ekumenik, Bartolomeo.
Kjo është hera e katërt, që kryeministri grek shkon në vendin fqinj dhe takohet me Erdoganin. Vizita kryhet në një moment kur marrëdhëniet e Athinës me Uashingtonin kalojnë ditët e tyre më të mira, e teksa një klimë krejtësisht e kundërt ekziston midis presidentëve Trump dhe Erdogan.
Me këtë avantazh në politikën e saj të Jashtme, qeveria greke këmbëngul që përveç uljes së tensioneve, të mbajë të hapura urat e komunikimit me Ankaranë, duke ruajtur rolin negociues të saj mes Turqisë dhe BE-së, të arrijë bashkëpunim të ngushtë për krizën e refugjatëve dhe të rrisë marrëdhëniet ekonomike me fqinjin e saj lindor.