Lulzim Basha ftoi qytetarët në qarkun e Fierit t’i bashkohen protestës së 16 shkurtit në Tiranë për t’i dhënë fund braktisjes nga qeveria. Ndërkohë që u kujdes të takonte edhe disa tregtar të këtij qyteti.
“Vetëm 1 shitje kam bërë”- u shpreh një tregtar. Një grua me një dyqan prej 20 vjetësh tha se nuk kishte shitur asgjë, ndërsa një tjetër, edhe ai me një biznes të vogël, tregoi se nga rënia e të ardhurave, nga futja në skemën e tvsh-së dhe rritja e taksave, nuk ble dot as ilaçet.
Kryetari Basha u tha qytetarëve se ka ende shpresë për rimëkëmbjen e ekonomisë së gjithsecilit dhe se plani i Partisë Demokratike e bën të mundur këtë.
“Me një qeveri që ka një plan ekonomik për të hapur vende pune, vende pune me paga dinjitoze, vende pune me kushte dinjitoze. Ky është prioriteti i Partisë Demokratike, ky është prioriteti i grupit tonë parlamentar, ky është prioriteti ynë. Kjo është plotësisht e mundur. Kushdo që thotë të kundërtën gënjen dhe u fryn borive të dëshpërimit për hesap të Edi Ramës. “ – u shpreh Basha.
Pjesë e rëndësishme e planit ekonomik të PD është zhvillimi i bujqësisë. Fermerët në zonën e Frakullës i thanë Kryetarit të PD se nuk kanë marrë asnjë subvencion, asnjë mbështetje nga qeveria këto 5 vjet.
Ndërsa Basha u bëri ftesë banorëve që t’i bashkohen protestës së madhe të paralajmëruar nga opozita në Tiranë.
“Më 16 shkurt nuk do të ketë fjalime. Ftesa ime është: ejani në Tiranë, me pjesëmarrjen tuaj bëni atë që bën çdo popull europian: deklaroni fundin e këtij regjimi dhe të hapim rrugën për një zgjidhje politike”, tha Basha.