Sekretari për mediat dhe çështjet sociale i PS, në Vaun e Dejës Agron Ceka është kërcënuar me jetë nga shtetasi Eduart Hila, djali i kryetarit të bashkisë Vau i Dejës, Zef Hila.
Është vetë Agron Ceka ai që ka bërë këte denoncim publik duke pretenduar se ka marrë një kërcënim.
Sipas Cekës, djali i kryebashkiakut ka shkuar tek banesa e tij mesditën e djeshme dhe i ka kërkuar që të mos postojë dhe të mos bëjë komente tek faqja e Partisë Socialiste Vau Dejës në Facebook kundër babait të tij që është kryetar bashkie.
Ceka pretendon se Eduart Hila i ka thënë se nëse vijon postimet do të ekzistojmë në këtë botë ose unë ose ti.
Këtë kërcënim sekretari i PS në Vaun e Dejës për Mediat dhe Çështjet sociale e quan një skandal të vërtetë dhe kërkon që strukturat e policisë të ndërhyjnë për të ndaluar këto kërcënime që vijnë nga njerëzit e kryebashkiakut Hila, siç thotë ai.
Ceka u shpreh se për këtë ngjarje do të bëjë kallëzim penal në policinë vendore të Shkodrës.