Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i bashkisë Erion Veliaj kanë zhvilluar një bisedë sot me studentët në sallën e re të rikonstruktuar të studimit, te Konviktet e Mjekësisë ku i janë përgjigjur shqetësimeve të studentëve.
Nga ky takim, shefi i qeverisë i ka drejtuar tre pyetje pedagogëve që protestojnë prej ditësh dhe kanë hyrë në grevë duke i etiketuar si “Mark Markët” nisur nga fakti që më i zëshmi prej tyre është pedagogu i gazetarisë Mark Marku.
Rama tha se kur t’i përgjigjen pedagogët këtyre tre pyetjeve atëherë le t’ia lënë fajin atij për problemet e studentëve.
“Mark Markve duhet t’i bëni një pyetje, se kërkesat e studentëve lidhen me ata, me universitetin. Të gjitha këto që kërkoni ju duhet t’i bënin ata.
1-Duhet t’i pyesni ata janë dakord për vlerësimin e titujve akademikë? E duan apo nuk e duan dhe jo të thonë po, por kur e duan e si i duan. Kush po i denigron pedagogët. Nuk kanë të drejtë studentët kur thonë që na shesin librat?!
2-Pyetja e dytë, duhet të na thonë janë dakord për shitjen e librave të pedagogëve?
3-Pyetja e tretë është a janë dakord apo jo që çdo vit studentët të bëjnë një vlerësim të performancës së pedagogëve?
A janë dakord ata që të vlerësohen nga ju? Aty do kuptohet se për çfarë e bëjnë grevën, e bëjnë për ju apo se s’duan. Për çfarë e kërkojnë abrogimin e ligjit. Ne duam t’u japim përgjigje kërkesave të studentëve një për një. Një pjesë e këtyre kërkesave janë për Universitetin. Duhet ta bëjnë pedagogët. Gjithë studentët më shkruajnë mua, ‘mos ua lër në dorë atyre’. Këta që bërtasin, dhe që bëjnë greva dhe që ulërijnë duhet të përgjigjen. Po e morët dot përgjigjen hajdeni më lajmëroni”, tha kryeministri.
Duke e përsëritur kërkesën e tij, Rama i cilësoi librat e pedagogëve, mizerabël.
“Për titujt akademikë, për librat që ju shesin, librat mizerabël, po e morët përgjigjen më lajmëroni dhe mua dhe pastaj jam unë prapë fajtori s’ka problem”, u shpreh Rama./BW