Ahmet Zogu mori shumë dhurata për martesë, por kryedhurata mund të kosiderohej ajo e bërë nga kancelari Gjerman, Adolf Hitler, një Mercedez sportiv kabriole i kuq.
Makina mbërriti në Shqipëri me tokë, duke ardhur nga Shkodra. Për prodhimin e saj u deshën thuajse 6 muaj dhe ajo ishte kryevepra inxhinierike e kohës dhe maksimumi i luksit që njihej.
Sipas “Corriere della sera” ekzistonte vetëm një ekzemplar tjetër i këtij modeli, ai i Hitlerit. Në fakt, gazeta italiane gabonte. Mercedez-Benzi që i ishte dorëzuar Mbretit Zog, më 19 prill të 1938-ës, ishte model 540K kabriolet, i njëjtë me atë që Hitleri i kishte dhuruar po atë vit për martesën, Mbretit Faruk të Egjiptit dhe liderit sovjetik, Stalinit, me rastin e 60 vjetorit të lindjes.
Makina ishte e kuqe, me veshjen e brendshme bezhë, me stemën mbretërore të stampuar në të dy dyert.
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia Zogu e mori atë me vete në Britani. Ajo figuron e regjistruar në Londër me targën “ENX 957”, por Mbreti doli me të vetëm një herë.
Në vitin 1944 nën shtytjen e Geraldinës, ai i dhuroi makinën Kryqit të Kuq Britanik dhe ky i fundit, ia shiti një personi privat në vitin 1946.
Për herë të fundit figuron pronë e një koleksionisti makinash, që në vitin 1987 e vendosi në një muzeum në Ilinois për 3 vjet. Më pas, u shënua se e mori i zoti dhe nuk dihet se ku gjendet më.
Besohet se ajo është pjesë e koleksionit privat të stilistit të njohur Ralph Lauren, por deri më tani ky i fundit as e ka pohuar dhe as e ka mohuar këtë gjë.
Simotra e saj identike, makina e Mbretit Faruk, u shit në vitin 2006 në një ankand në Monte Carlo për shumën 921 mijë Euro! Makina në foto është ajo e Farukut, identike me atë të Zogut. Diferenca e vetme është se e Zogut kishte një të kuqe më të pastër./Konica/