Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është pyetur nga asetiFatos Lubonja, se përse nuk ka transparancë në lidhje me marrëveshjen e mundshme Kosovë-Serbi. Lubonja e pyeti presidentin, se cilat do të jenë humbjet e Kosovës, sepse deri sot ai në publik ka folur vetëm për njohjen e Kosovës nga Serbia dhe bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën, pra vetëm për përfitime nga marrëveshja.
Presidenti Thaçi, u përgjigj duke thënë se në asnjë rrethanë Gazivoda, veriu i Mitrovicës dhe Trepça, nuk do të shkëputen nga Kosova në asnjë rrethanë, deklaratë kjo mjaft e fortë.
Fatos Lubonja: Për mendimin tim, dhimbja që do t’i transmetojë Vucici, serbëve, është ideja që ne do ta njohim Kosovën që deri tani nuk e kanë njohur. Por, ideja është që ky nuk heq dot dorë, pa patur dicka, që të paktën t’ua shesi atyre politikisht, që është shkëputja e pjesës së Mitrovicës, zonës së banuar nga Serbët. Nëse çështja do të ishte deri atje ku thotë zoti Thaci, domethënë thjesht ne do marrim Preshevën dhe Bujanovcin, nuk ka as shqiptarë dhe as ndërkombëtar në botë, që mund të mendojë se mund të arrihet një marrëveshje me këtë gjë.
Domethënë, Vucici, jo vetëm njeh Kosovën, por të jep edhe Preshevën dhe Bujanovcin. Kjo nuk qëndron, që të jemi të sinqertë me publikun. Atëherë, publikut shqiptar i duhet thënë, ne kemi dhimbjen tonë, që është shkëputja, e një zone, e një harte, që ju nuk e keni njohur kur ua kanë paraqitur.
Hashim Thaçi: As Gazivoda, as veriu i Mitrovicës, e as Trepça, në asnjë rrethanë, në asnjë moment, kurrë nuk do të jenë pjesë e ndonjë kompromisi në raport me Serbinë. Është e përmbyllur për mua.
Fatos Lubonja: Si mund të hyjë Serbia në këtë marrëveshje?
Hashim Thaçi: Mos e kërko përgjigjen në emër të Beogradit nga unë. Unë prezantoj pozicionin tim. Gazivodë, Veriu i Mitrovicës, Trepça, në asnjë rrethanë as në tavolinë nuk do të vijnë, nuk do të jenë kurrë në tavolinë për arritjen e një marrëveshje. Janë dhe do të mbeten pjesë të Kosovës.