Prokuroria nis punën për zbulimin e “tradhëtarit” në rradhët e saj. Kjo, pas publikimit të një tjetër lajmi nga Zëri i Amerikës, lidhur me të dhëna nga dosja hetimore “339” për shitblerjen e zgjedhjeve.
Në njoftimin shpërndarë mediave, prokuroria njofton se është duke kryer hetimeve dhe për veprën penale “Zbulimi i akteve ose i të dhënave sekrete”, në lidhje me faktet e nxjerrjes së sekretit hetimor në lidhje me publikimin e disa akteve të përgjimeve të çështjes penale në fjalë, publikimi i të cilave po bëhet në kundërshtim me ligjin.
“Në këtë kuadër po bëhet verifikimi i të gjithë personave që kanë patur njohje dhe akses në aktet e bëra publike në hetim dhe gjykim.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda.
Zëri i Amerikës publikoi një ditë më parë një tjetër pjesë të “dosjes 339” ku tregohet qartë blerja e votave në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017. Nga përgjimet del se kreu i Bashkisë së, Durrësit Vangjush Dako kishte marrëdhënie të afërta me grupin e Avdulajve, të akuzuar për trafik droge, e madje konsumonte dreka.