Agjencia Telegrafike Shqiptare bëri një vëzhgim mëngjesin e të mërkurës në Universitetin e Tiranës ku konstatoi se mësimi zhvillohej normalisht në të gjitha fakultetet përveç Shkencave Sociale.
Studentë të fakulteteve të ndryshme thanë për ATSH se pjesëmarrja në mësim është maksimale. Ndërkohë në disa fakultete po zhvillohet mësim edhe gjatë fundjavës për të zëvendësuar orët e mësimit që u humbën gjatë protestës studentore.
Disa studentë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe Filologjikut thanë se mësimi po zhvillohet pjesërisht. Ata theksuan se kanë ardhur çdo ditë në fakultet për të zhvilluar mësim.
Ndërsa në Fakultetin e Mjekësisë mësimi zhvillohej normalisht, dhe pjesëmarrja ishte maksimale. Studentët thanë për ATSH-në se nuk bëjnë orë shtese pasi ky fakultet zhvillon mësim rregullisht nga fillimi i vitit.
Edhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës mësimi zhvillohej normalisht dhe pjesëmarrja ishte maksimale.
Mësimi ka filluar normalisht edhe në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Një student tha për ATSH-në se po zhvillohet mësim edhe në fundjavë për të zëvendësuar orët e humbura.
Mësimi zhvillohej normalisht edhe në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe në Fakultetin e Ekonomisë. I vetmi Fakultet që nuk zhvillon ende mësim, është ai i Shkencave Sociale.