Në zyrën e kryeministrit Rama, pritet të bjerë një zile telefoni nga përtej oqeanit. Mësohet nga burime konfidenciale diplomatike se telefonata zyrtare do të kryhet mes Shtëpisë së Bardhë dhe kryeministrisë në orët në vazhdim.
Nuk thuhen arsyet e këtij komunikimi që konsiderohet i rëndësisë së vecantë. Me shumë gjasa do të jetë këshilltari për Sigurinë, John Bolton, njeriu më i rëndësishëm për momentin në krah të presidentit Trump, ai që do zhvillojë bisedën me kryeministrin Edi Rama.
Afërmendsh cështja më e përfolur e momentit është debati për kufinjtë mes Kosovës dhe Serbisë, por sigurisht nuk përjashtohet mundësia për diskutimin e temave të tjera të nxehta të politikës rajonale e globale.
Më së fundi qeveria shqiptare mori komplimente e mbështetje publike, nga presidenti Trump, Sekretari i Shtetit, Pompeo dhe këshilltari Bolton për dëbimin e ambasadorit Iranian dhe një punonjësi tjetër të ambasadës, nga Shqipëria, në mesin e dhjetorit. Gjithsesi mbetet për t’u mësuar më shumë rreth kësaj telefonate të pazakontë./BalkanWeb