Shkrimtarja shqiptare Irma Kurti përzgjidhet si një nga 12 finalistët në Konkursin e madh Letrar të shpallur nga Shtëpia e Shkrimtarëve në Sanremo dhe “Booksprint Edizioni”. Romani në gjuhën italiane: “In assenza di parole” (Në mungesë të fjalëve) u seleksionua nga 495 vepra dhe prej një jurie popullore të përbërë prej 300 lexues.
Finalistët do të prezantojnë librat e tyre gjatë natës finale të Festivalit të Këngës Italiane në 9 shkurt 2019, si dhe do të intervistohen në prani të gazetarëve që do të mbushin si rrallëherë mjediset e Casa Sanremo. Intervista do të transmetohet ‘live’ dhe do të shpërndahet në kanalet zyrtare të këtij ambienti. Casa Sanremo është pika e takimit të këngëtarëve, kompozitorëve, producentëve, si dhe njerëzve të njohur të artit dhe kulturës italiane, veçanërisht në ditët e Festivalit. “Kur më njoftuan në telefon se isha njëra prej finalistëve u emocionova aq shumë sa nuk arrija të gjeja fjalët e duhura. Kur mbylla telefonin, nuk i mbajta dot lotët”, rrëfen për mediet shkrimtarja. “Në mungesë të fjalëve” është një libër që mbart një peshë të madhe emocionale për Kurtin. “Lindi dhe u shkrua duke u mbështetur në ditarin e babait tim, Hasan Kurti, një fëmijë i varfër dhe jetim, një mjek shembullor që ia dedikoi jetën pacientëve të tij. Fakti që ky libër kaloi një sprovë të vështirë përkrah qindra librave të tjerë të autorëve italianë, më mbush me gëzim dhe krenari”. Irma Kurti njihet nga publiku shqiptar edhe si autore e suksesshme e shumë teksteve të këngëve shqiptare. Ka shkruar rreth njëqind tekste.
Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti së fundmi është prezantuar përpara lexuesit italian me një botim të ri, përmbledhjen me poezi: “Il sole ha emigrato” (Dielli ka emigruar), që mban siglën e Edizioni Convalle. Ky është libri i njëmbëdhjetë i Kurtit në gjuhën italiane. Gjashtëdhjetë poezi të përqendruara në kujtimet dhe në nostalgjinë për vendin e origjinës, ritmin e shfrenuar të ditëve në një botë që humbet gjithnjë e më shumë paqen dhe sigurinë. Është një jetë e vetmuar ndonëse e rrethuar me njerëz, në pamundësinë për të ndarë dhimbjen me ata që vetëshpallen “miq”.
Poezi të ndryshme përqendrohen tek dashuria: koha për t’i thënë “lamtumirë”, një ndjenje që i ngjan gjethes së tharë apo një dashuri e rrallë dhe e papërsëritshme, që e ndan një hap nga qielli. Në parathënien e shkruar nga kritiku Lorenzo Spurio lexojmë: “Përqasjet komunikuese, motivet për reflektim dhe tematikat që dallojnë natyrën poetike të Irma Kurtit i gjen me shumicë edhe në përmbledhjen e re me poezi: “Dielli ka emigruar”, titulli i të cilit nxjerr menjëherë në pah arsyet e largimit dhe të errësirës, mungesës dhe boshllëkut.
Termi “emigron” është zgjedhur me kujdes nga poetja për të nënkuptuar jo vetëm natyrën e dyfishtë të saj si grua shqiptare të naturalizuar në italiane, por mbi të gjitha sentimentin e vetmisë dhe pikëllimit, të mungesës së ndriçimeve të një moshe të pasur dhe plot dritë të jetuar në shoqërinë e prindërve të dashur, të cilëve u është dedikuar vëllimi. Në fakt, mund të themi se ky libër i ri vazhdon në rrugën tashmë të ndërmarrë në vite të një poetike intime, ku kujtimet personale përbëjnë motivin kryesor”. Irma Kurti ka botuar shtatëmbëdhjetë libra në gjuhën shqipe dhe tre në anglisht. Jeton prej shumë vitesh në Bergamo të Italisë.