Delegacioni i BE-së në Shqipëri ka reaguar pas akuzave të PD-së se marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe BE për kontrollin e kufirit është kërkuar për rast urgjence.
Në një postim në Twitter, theksohet se marrëveshja është krijuar për rritjen e sigurisë dhe garantimin e një menaxhimi më të mirë të emigracionit të parregullt në Shqipëri dhe gjithë rajonin.
“Hyrja në fuqi e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare @Frontex BE në të ardhmen do të kontribuojë për rritjen e sigurisë dhe garantimin e një menaxhimi më të mirë të migrimit të parregullt në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin.
Negociata për marrëveshje të tilla kanë përfunduar me partnerë të tjerë të #BallkanitPerëndimor. Menaxhimi i kufijve të Shqipërisë mbetet kompetencë e autoriteteve të Shqipërisë.
Agjencia u ofron vetëm ndihmë&mbështetje autoriteteve kompetente kombëtare, në frymën e bashkëpunimit të ndërsjelltë.
Nuk ka lidhje mes hyrjes në fuqi të marrëveshjes dhe mekanizmit për pezullimin e vizave. Është në interes si të Shqipërisë ashtu dhe të BE-së që të rrisin më tej bashkëpunimin e tyre për migracionin dhe sigurinë”, sqaron delegacioni i BE.