Ish-shefi i Shërbimit Sekret, Fatos Klosi, i cilëson si “gjueti shtrigash” nga politika akuzat ndaj ish-prokurorit Bujar Sheshi për lidhje me Sigurimin e Shtetit.
I ftuar në studion e lajmeve në Ora News, Klosi theksoi se vonesa në përgjigje e Autoritetit të Dosjeve dhe koha kur po adresohen akuzat janë të dyshimta.
Klosi: Vonesa në përgjigje më bën përshtypje dhe tani del me tre gabime. Po e shfrytëzon politika keq dhe kjo nuk më pëlqen. Është “gjueti shtrigash”.
Ndërsa drejtuesi i emisionit “Arena”, Dritan Hila, e përjashton mundësinë e rekrutimit të ish-prokurorit në Sigurimin e Shtetit kur ishte 16 vjeç.
Dritan Hila: Nuk të rekrutonte njeri 16 vjeç, edhe nëse e rekrutonte varet sesa ka dhënë ky dhe kë ka marrë në qafë. Ka dhe raste të tilla kur punëtorë të Sigurimit për të rritur volumin e punës deklaronin emra falso sikur i kishin.
Nuk mund të bëjmë “gjuetinë e shtrigave” me një person që ka qenë punonjës shembullor i shtetit.Nuk më pëlqen kjo zallamahi.
Prokuroria ka deklaruar nisjen e hetimeve për të zbardhur të vërtetën e akuzave ndaj anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi.