Publikohen pamjet e një takimi të pazakontë rreth 11 vite më parë mes kryedemokratit, atëherë ministër i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha dhe ish-diktatorit libian, Muammar Gaddafi. Siç duket edhe nga pamjet e publikuara në rrjetet sociale nga gazetari me banim në Belgjikë, Fatos Mahmutaj, takimi është zhvilluar në një zonë të shkretë të Libisë brenda një tende të improvizuar. Takimi daton në pranverë të vitit 2008.
Mbeten të paqarta arsyet e këtij takimi të Bashës me Gaddafin në mes të shkretëtirës dhe jo në një zyrë normale shteti në kryeqytetin libian, Tripoli apo edhe kudo tjetër, përsa kohë nisur nga masat e sigurisë dhe prezenca e delegacioneve, ka pasur një protokoll shtetëror për këtë takim.
Megjithatë, pyetja që lind teksa sheh këto pamje është, mos vallë Basha u frymëzua nga tenda e Gaddafit kur ngriti Çadrën në Bulevard nga shkurti deri në maj 2017? Ndërkohë, zëra të caktuar në PD flasin për një skenar të përsëritur pas pak ditësh, teksa pohojnë se nuk përjashtohet mundësia e një “Çadre nr.2” nga opozita në Bulevard, gjatë protestës së 16 shkurtit…