Askush nuk e di se ku ka mbetur truri i diktatorit serb pasi vdiq më 2006 nga sulmi në zemër në një qeli në Hagë. Gazetarët e BBC kanë hulumtuar mbi vendndodhjen e mundshme.
Christian Chartier, atë kohë zëdhënës i Tribunalit të Hagës, tha për BBC: «Më kujtohet se trupi i Millosheviçit në Serbi është kthyer pa tru».
Nga dp
Kasapi i popujve të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç, vdiq më 11 mars 2006 në qelinë e tij në burgun e Hagës ndërsa po zhvillohej procesi gjyqësor kundër tij për shkak të krimeve të luftës në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Millosheviç vdiq si i pafajshëm së paku juridikisht, ngase Tribunali i Hagës nuk arriti ta përfundojë procesin gjyqësor.
Dhe fajet për këtë në radhë të parë i bart kryeprokurorja e atëhershme Carla Del Ponte, e cila me çdo kusht dëshironte që Millosheviç të dënohet për të gjitha veprat e tij dhe jo së pari, ta zëmë, për krimet në Kosovë, pastaj në Kroaci dhe Bosnjë. Kështu procesi do të ndahej në tri pjesë dhe do të shkurtohej.
Trupi i Millosheviçit u soll në Beograd tri ditë pas vdekjes me një avion të kompanisë së atëhershme JAT dhe u varros në vendlindjen e tij në Pozharevc. Por, a u varros me të dhe truri i tij? Gazetarët e sektorit serb të BBC-së kanë hulumtuar dhe nuk kanë arritur të marrin informacion të saktë se ku gjendet truri i Millosheviçit. Disa persona që në kohën e vdekjes së Millosheviçit kanë punuar në Tribunalin e Hagës kanë konfirmuar për BBC se trupi i autokratit serb i është dorëzuar familjes, ndërsa truri është mbajtur në Institutin e Forenzikës në Hagë.
Trupi i Millosheviçit iu nënshtrua obduksionit dhe pastaj në një arkivol të mbyllur iu dorëzua Marko Millosheviçit, të birit të Millosheviçit. BBC shkruan se për të bërë një analizë më të thellë të trurit të Millosheviçit, ky organ duhej mbajtur më gjatë në Hagë, sepse disa helme shpejt zhduken në organizëm, por gjurmët mbesin në tru. Ekspertët thonë se analiza më e detajuar e trurit është praktikë e rëndomtë.
Christian Chartier, atëbotë zëdhënës i Tribunalit të Hagës, tha për BBC: «Më kujtohet se trupi i Millosheviçit në Serbi është kthyer pa tru». Chartier shtoi se nuk e dinte se çfarë ka ndodhur me tutje dhe nëse truri i është dorëzuar familjes apo është asgjësuar. Zyrtarë të dikurshëm të Tribunalit thonë se për shkak të ligjeve të ashpra holandeze për ruajtjen e të dhënave nuk kanë arritur të kuptojnë se çfarë ka ndodhur me trurin e Millosheviçit.
BBC ka kërkuar informata nga Instituti i Forenzikës në Hagë mbi lokacionin e trurit të Millosheviçit, por përgjegjës të këtij institucioni kanë thënë se nuk mund të flasin për këtë çështje. Qasje në dokumentacion kanë vetëm personat e autorizuar – qeveria serbe dhe familja e Millosheviçit. Shoferi Radisha Mihajloviq Drnda, i cili drejtoi Mercedesin me kufomën e Millosheviçit, tha se askush nuk ka mundur të hapë arkivolin.
Zhgroposjen e Millosheviçit mund ta kërkojnë vetëm qeveria e Serbisë dhe familja e Millosheviçit – gruaja Mira, i biri Marko dhe e bija Marija. Sipas BBC zhgroposjen e Millosheviçit mund ta kërkojë edhe komuna e Pozharevcit, sepse ai është varrosur kundërligjshëm. Ligji thotë se asksuh nuk mund të varroset jashtë varrezave. Millosheviçi është varrosur në oborrin e shtëpisë së tij të lindjes.
Mediat serbe kanë bërë të ditur se Millosheviç në qelinë e tij dëgjonte Frank Sinatrën, shikonte programe televizive, pinte duhan dhe alkool, të cilin ia sillnin avokatët e tij. I biri i tij Marko kur erdhi për të marrë kufomën tha se babai i tij nuk kishte vdekur, por ishte vrarë. Një hetim i Tribunalit tregoi se Millosheviç vdiq nga sulmi në zemër si pasojë e hipertensionit shumëvjeçar.