Juventusi kalon pengesën Lazio dhe “fluturon” drejt titullit të 8 kampion radhazi, pasi tani e shikon veten në kuotën e 59 pikëve, 11 më tepër se Napoli i vendit të dytë.
Në transfertën e mbrëmjes së sotme në “Olimpico”, bardhezinjtë e Allegrit bënë një ndeshje nën ritmin mesatar, duke vuajtur presionin e lacialëve, që pavarësisht lojës së mirë, gabuan shumë në finalizim.
Por goli për skuadrën e Inzaghit erdhi në minutën e 59′ dhe u shënua nga mesfushori i Juventusit Emre Can, që çoi topin në portën e tij, në mënyrë shumë të çuditshme.
Por kaq mjaftoi që Juventusi të zgjohej dhe Allegri të hidhte në fushë portugezin Joao Cancelo, ndërsa ishte pikërisht ky i fundit ai që shënoi golin e barazimit në minutën e 74-t.
Sërish Cancelo bëhet protagonist në minutën e 88′, pasi fiton një 11-metërsh, të cilin e shndërron në gol Cristiano Ronaldo, duke përmbysur rezultatin dhe duke i dhënë fitoren Juventusit.
Pas 21 javësh në kampionat, Juventusi numëron 19 fitore dhe vetëm 2 barazime, duke konfirmuar një sezon fantastik, ndërsa titulli kampion duket vetëm një formalitet.