Zhdukja e Emiliano Sala gjatë ditës së hënë teksa ai po udhëtonte me aeroplan nga Nantes (Francë) drejt Cardiffit (Uells), ka qenë lajmi i javës në botën e futbollit.
Aeroplani i sulmuesit argjentinas u zhduk nga radari rrugës për te klubi i tij i ri, Cardiff City, ku ditë më parë u prezantua transferimi i tij për 17 milionë euro. Zhdukja nga radari ndodhi në zonën e ishujve English Channel, por pas disa ditë kërkimesh autoritetet lokale ndaluan kërkimet për shpëtim pasi besojnë se Sala dhe piloti nuk mund të kenë mbijetuar.
Familja e lojtarit ishte kundër këtij vendimi dhe menjëherë kërkuan rifillimin e kërkimeve. Kërkesa e tyre u përkrah nga shumë njerëz nga bota e futbollit dhe jashtë saj, ku u themelua një fondacion për mbledhjen e fondeve për rifillimin e kërkimeve.
Deri më tani besohet se janë mbledhur rreth 200 mijë euro, të mjaftueshme për të filluar, por shuma po vazhdon të rritet. “Kërkesa e nisur të premten mbrëma për mbledhjen e fondeve i ka mundësuar familjes së Emiliano Salas të rifillojnë kërkimin privat nëpërmjet një organizate të specializuar.
Dy anije tashmë janë duke i prirë operacionit të shpëtimit”, ka thënë për AFP, Maria Jose Sottini, mik i të afërmeve të Romina Sala (motrës së lojtarit). Deri më tani mbi dy mijë persona kanë dhuruar para në GoFundMe, në mesin e tyre edhe lojtarët e njohur si Ilkay Gundogan, Corentin Tolisso dhe Adrien Rabiot.