Edhe pse e shtunë, në disa Fakultete në Tiranë po zhvillohet mësim. Disa studentë thanë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se po zhvillohet mësim edhe në fundjavë, për të zëvendësuar orët e humbura gjatë muajit dhjetor.
“Unë studioj për inxhinieri elektronike, jam në vitin e parë. Po bëjmë mësim sot të shtunën për të zëvendësuar orët që kemi humbur në dhjetor, tha një student i Universitetit Politeknik për ATSH-në.
“Unë studioj te Shkencat e Lëvizjes për aktivitet fizik. Për të zëvendësuar orët e humbura gjatë muajit dhjetor, kemi disa javë që po bëjmë mësim edhe të shtunë e të diel”, tha për ATSH-në një studente e Universitetit të Sporteve.
“Edhe unë jam studente te Shkencat e Lëvizjes, në vitin e parë. Pjesëmarrja në mësim është maksimale, te klasa jonë nuk mungon asnjë student”, tha një tjetër studente e Universitetit të Sporteve.
Ditën e shtunë u zhvillua mësim në Fakultetin e Ekonomisë, në atë të Gjuhëve të Huaja, në Universitetin e Sporteve, dhe në Universitetin Politeknik të Tiranës.