Nga Aurenc Bebja*
Gazeta franceze, “Paris-soir”, ka botuar, të hënën e 25 prillit 1938, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me Konteshën Geraldinë, bukuroshen hungareze, “Trëndafilin e bardhë” të Budapestit, mbretëreshën e ardhshme të Shqipërisë, e cila ishte asokohe në prag të martesës me Mbretin Zog.
Sigurisht, për këtë rast të veçantë, nevojitej një fustan nusërie unik dhe kryeqyteti francez ishte destinacioni ideal për të plotësuar dëshirën e saj.
Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë të gazetës, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:
Moda pariziane e ka bindur mbretëreshën e ardhshme të Shqipërisë
Brenda disa ditëve, Kontesha Geraldinë Apponyi do të bëhet mbretëreshë e Shqipërisë.
Deri tani, ajo e kishte për zakon të vishej shumë sportive, dhe porosiste veshjet e saj në Budapest.
Por e kuptojmë që veshja e dasmës së një mbretëreshe është çështje më delikate. Kontesha Geraldinë i është referuar për këtë stilit parizian.
Fustani i saj do të jetë prej sateni të bardhë, i zbukuruar me gurë të çmuar, perla dhe qëndisje prej argjendi mbi të gjithë pjesën e sipërme, e cila do t’i përshtatet deri në bel. Fundi do të jetë shumë i gjerë dhe i gjatë, i prerë (i hapur) në pjesën e përparme që të dallohet një tjetër fund më i shkurtër dhe më i ngushtë.
Një vello sateni e bardhë, e stolisur me qëndisje prej argjendi do të fiksohet në supe dhe bel.
Pra, ky fustan u bë në Paris ndërsa kontesha gjendej në Tiranë.
Një ekip i posaçëm u dërgua pranë saj tre javë më parë me “copat për fustan”. Gjatë tetë ditëve, pasi kontesha zgjodhi në mesin e modeleve të dizajnuara posaçërisht për të, ajo i provoi ato. Fustani, i bërë këtu sipas atyre copave, nuk do të ketë fare nevojë të provohet para ceremonisë.
Kuptohet se diçka e tillë aq e çmuar nuk mund t’u besohet disa njerëzve të zakonshëm. Princeshat Maxhide, Ruhije dhe Myzejen, motrat e mbretit Zog, do të marrin për në Tiranë fustanin e nusërisë të mbretëreshës së ardhshme në valixhet që ata kanë mbushur me tualetet e tyre, të porositura gjithashtu në Paris.