Piktori durrsak Ruzhdi Rraklli e meriton të ketë famë tej qytetit të tij, sidomos për një vepër unike e cila e tregon burrë në kuptimin më fisnik e romantik të fjalës, një Romeo të vërtetë pa tragjedi brenda. Ai është mjaft i njohur në qytetin bregdetar për stilin e veçantë dhe pasionin për pikturën që e ka shoqëruar ndër vite.
Veprat e tij artistike janë të panumërta, të shpërndara në ekspozita dhe koleksione private. Po ndër më të veçantat që ai ka realizuar është një pikturë e bashkëshortes së tij, Idajetes, e denjë për të hyrë në Guinnes. Portretin e saj ai e ka punuar rreth 40 vite me rradhë dhe e ka përfunduar këto ditë, para datës 22 shtator, kur ajo mbushi mbushte 70 vjeç, me të cilën ai feston njëkohësisht edhe 53 vite martese.
Në këtë pikturë të veçantë është reflektuar i sintetizuar në ngjyra mbresëlënëse malli për rininë që kaluan së bashku dhe sakrificat e shumta që kanë përballuar për të rritur e edukuar tre fëmijët e tyre. Ideja për të realizuar këtë vepër, Ruzhdiut i ka lindur kur atij i ka bërë një portret të veçantë piktori i shquar Zef Shoshi.
Ruzhdiu thotë se e filloi këtë portret për t’jua lënë fëmijëve krahas veprës së Shoshit; por duke qenë modest ai thotë që e di se kjo pikturë nuk është në lartësinë e penelit të mikut të tij, Shoshit. Kështu që ai shpreh edhe “keqardhjen” për faktin se kjo pikturë nuk do të ngjitet deri tek arti i Shoshit.
Ruzhdi Rraklli ka lindur në Durrës më 4 mars 1939. Eshtë angazhuar në artet figurative që në moshën fëminore. Është pjesëmarrës në shumë ekspozita të qytetit si dhe ato kombëtare, kryesisht në gjininë e grafikës. Ka organizuar shumë ekspozita personale disa nga të cilat i ka përmbledhur duke i botuar në katalog si: “Amfiteatri i Durrësit”, “Butrinti”, si dhe një pjesë nga qindra grafika të krijuara në qytetin e tij të përmbledhura në “Durrësi: Nostalgji për qytetin 3000-vjeçar”.