Politikani i së djathtës, Dashamir Shehi, ka komentuar përgatitjet e opozitës për protestën e paralajmëruar më 16 Shkurt. Këto komente kreu i LZHK-së dhe njëherësh deputet në Kuvendin e Shqipërisë, Dashamir Shehi i ka bërë i ftuar në emisionin “Zgjohu” në Fax News.
Sipas Shehit, ekziston një mundësi për një pakt të fshehtë mes Ramës dhe Bashës. Sipas tij, ai i referohej dakordësisë mes palëve për të mos ndryshuar kodin zgjedhor.
“Unë mendoj se ata merren vesh një muaj para zgjedhjeve, dhe e kam fjalën në këtë rast për kodin zgjedhor. Nuk mund ta lëmë vendin në 12 ndarje, Shqipëria duhet të jetë një kolegj, që kuksiani të ketë mundësi të votojë për deputetët e Vlorës.
Pra unë jam për një sistem propocional mazhoritar. Qeveria në të gjithë botën është e njerëzve të votuar, prandaj gjendemi në një situatë groteske si kjo e zotit Rama.
Iu bëj thirrje të gjitha partive politike që të reflektojnë dhe të vendosin për një sistem të ri, të menduar seriozisht. Të votohet në mënyrë elektronike, dhe të numërohet në mënyrë elektronike.
U bë kaq vjet që vidhet me komisionerë, ka ardhur dita që ta ndryshojmë. Për mua çështja numër 1 është rrëzimi i Ramës dhe më pas të diskutohen teknalitetet e tjera.”, tha ai.