Ashtu si në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, kur Lulzim Basha shpenzoi miliona euro për protestën 3-mujore në ‘Çadrën e PD’, e cila u mbyll vetëm mbrëmjen e 17-18 majit me një marrëveshje mes demokratëve dhe kryeministrit Edi Rama, duket se i njëjti skenar do të aplikohet edhe këtë vit, për zgjedhjet lokale.
Lulzim Basha po organizon bazat dhe gjithë strukturat e Partisë Demokratike për t’i nxjerrë në protestë më 16 shkurt, ndërsa nuk dihet sa do të zgjasë tubimi opozitar këtë radhë, por qëllimi është sërish rrëzimi i Ramës ose bashkëqeverisja me të. Përveç organizimit të protestës, Basha ka bërë gati edhe milionat për të paguar qytetarët dhe të gjithë militantët e PD, që do të dalin në shesh.
Në udhëzimin e tij, kreu i demokratëve kërkon nga të gjitha strukturat përgatitjen e logjistikës për transportin falas dhe shpenzimet për të gjithë pjesëmarrësit në ditën e protestës së madhe. Në udhëzimin e kryetarit të Partisë Demokratike saktëzohet: “Të behet përgatitja e logjistikës për transportin dhe shpenzimet e protestës caktimi i vendit nisjes nga dega, propozimi i vendit dhe orës takimit të degës pranë kryeministrisë”.
Nuk dihet nëse pas protestës PD do të bëjë transparente për mediat shpenzimet e këtij tubimi dhe se kush janë financuesit. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka urdhëruar deputetët, kryetarët e degëve dhe të gjithë të deleguarit në rrethe, të organizojnë të gjitha strukturat për protestën e madhe që do të organizohet më 16 Shkurt në kryeqytet.
I frikësuar nga braktisja e qytetarëve, Basha ka vendosur të testojë strukturat e PD dhe gatishmërinë e qytetarëve për të dalë në protestë, teksa ka urdhëruar që mes datave 2 dhe 12 shkurt të organizohen tubime lokale në të gjitha rrethet, duke shkuar më derë të qytetarëve. “Organizimi i punës për takimet derë më derë në nivel seksioni dhe grupseksioni dhe format e përshtatshme për të ftuar dhe siguruar pjesëmarrjen e anëtarëve dhe qytetarëve në protestën e madhe në Tiranë, apo në protestat lokale”, thuhet në udhëzim.
Po ashtu në udhëzim thuhet se duhet të përcillet mesazhi te qytetarët për sigurimin e pjesëmarrjes maksimale me të gjitha format, takime me strukturat, takime me qytetarët derë më derë, ture, fletushka, njoftime në rrjetet sociale, njoftime me sms apo dhe telefonata./Ekskluzive.al