Ditëlindja e pestë riktheu buzëqeshjen dhe lotët e gëzimit në fytyrën e Xhulios dhe tre vellezërve.
Historia e trishte e katër jetimëve nga Stojani i Maliqit, e transmetuar në Ora News preku zemra e shqiptarëve dhe ngjalli reagimin e institucioneve e shoqatave humanitare.
Fundjavë Ndryshe iu bashkua menjëherë misionit për tu ndryshuar të ardhmen.
Ata pajisën me orendi shtëpiake banesën e katër djemtë dhe ofruan paketa ushqimore.
Adnad Dushku Fundjave Ndryshe: Sot bëmë të mundur sjelljen e batanijeve, orendive, lodrave.
Shërbimi Social Rajonal tha se nuk ishin në dijeni të situatës, kjo për faj të mosfunksionimit të zinxhirit të institucioneve. Njësia e Mbrojtjes së fëmijëve në bashkinë Maliq nuk i kishte njoftuar.
Por për të fituar kohën e humbur përgatiti dokumentacionin për tu dhënë djemve statusin e jetimit, ndërsa deri në një vendim gjykate për kujdestarinë ata do të zhvendosen pranë motrës së madhe.
Irena Bozdo, Drejtore e Shërbimit Social: Ne jemi rajonale dhe ndjekim të gjitha rastet deri në zgjidhjen e tyre.
Me barrën e peshës për rastin, Bashkia e Maliqit u angazhua për rikonstruksionin e banesës.
Azem Huhu, Bashkia Maliq: Morëm sigurinë nga motra dhe halla që deri sa bashkia të ndërhyjë me fondet e veta, fëmijët do sistemohen në fshatin Progër.
Por synimi në këtë ditë nuk ishte nxjerrja e përgjegjesive apo marrja e meritave.
E rëndësishme ishte rikthimi i shpresës në sytë e katër jetimëve.
Mision që u përmbush!
Lotët e dhimbjes janë tharë.
Xhulio dhe tre vëllezërit kanë nisur sërish të buzëqeshin!