Sot, Dita e Rinisë dhe ditëlindja e mikut tim, simbol i vrullit djaloshar! Gëzuar Profesor!”, kështu e niste urimin për aktorin e njohur Viktor Zhusti në 74 vjetorin e lindjes,aktori Laert Vasili. Me një foto ku të dy shfaqen sportiv, Vasili sjell një fragment të shkëputur nga lidhja e tyre si miq të vjetër. Por nuk është vetëm Vasili që ka uruar aktorin në këtë ditë të veçantë.
Aktorja Gladiola Harizaj ka postuar një foto me Zhustin, e të tjerë personazhë të teatrit i kanë kushtuar dedikime në këtë ditë një prej aktorëve më të mirë të skenës së teatrit shqip Viktor Zhusti. Pas një shkëputje të gjatë pas viteve 90-të me skënën e teatrit Zhusti ka qënë tepër aktiv vitet e fundit në skenën e Teatrit Kombëtar, duke spikatur në disa role, ku më i spikaturi ishte ai tek “Djemtë gazmorë” në krah të Robert Ndrenikës. Para viteve 90-të Zhusti ka qënë më shumë i njohur për publikun përmes roleve të tij në kinematografi.
Ai ka qënë një ndër aktorët më të kërkuar të ish Kinostudios, dhe për shkak të portretit të tij. Ka luajtur partizanin e ashpër, por edhe babain e dhembshur, të riun përpara dilemave, por edhe të dashuruarin, që mundohet të tejkalojë paragjykimet. Disa prej filmave ku ai ka luajtur, mund të përmendim telekomedinë e njohur “Shi në plazh”, ku luan rolin e Albertit, një nga komeditë më të bukura shqiptare, që i ka rezistuar kohës. Për të vijuar me filmin “Nëntori i dytë“, ku luan rolin e Luigj Gurakuqit, “Taulanti kërkon një motër””, rolin e babait, Pirros. Një tjetër rol babai, ai intepreton tek filmi “Kur zhirohej një film”, për të vazhduar me rolin e Llano Bletës tek “Dhe vjen një ditë, “Malet me blerim mbuluar””, etj.
Roli i doktorit në skenën e teatrit Kombëtar me “Të gjithë kanë huqe”, e kthen atë pas gati 20 vjetesh sërish në vëmendjen e publikut. Dëshiron të rikthehet sërish, por këtë herë me një projekt të vetin në teatër. Nën regjinë e Gëzim Kames, kjo është një ndër veprat më të arrira ku Zhusti vjen në rolin e psikologut, një rol potent të cilin e mban në lartësinë e duhur përgjatë gjithë veprës. Kjo vepër u rikthye sërish në skenë pak kohë si një homazh për aktorin e ndjerë Roland Trebicka.
Sot Zhusti mbush 74 vjeç, por në portretin e tij duket sikur vitet kanë ndalur, ndërsa është shtuar prezenca e tij në teatër, duke na dhënë karaktere të paharruara.