Bojkoti parlamentar i opozitës përgjatë muajit të shkuar ka sjellë edhe reduktimin e të ardhurave të deputetëve, që nuk kanë marrë pjesë në punimet e Kuvendit. Sipas të dhënave të Kuvendit të Shqipërisë, atyre u janë mbajtur të ardhurat nga paga mujore për shkak të mosfrekuentimit të punimeve të seancave plenare. E ndërsa nga njëri krah u reduktua rroga, nuk mund të thuhet e njëjta gjë përsa u përket shpërblimeve dhe dietave.
Konkretisht, që të gjithë deputetët e Kuvendit kanë përfituar shuma të majme për karburant. Kjo, pasi sipas ligjit për statusin e deputetit, ata përftojnë një kuotacion mujor për karburant, i cili u shërben atyre për të lëvizur në zonat ku janë zgjedhur.
Deputetë të qarqeve si Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë kanë marrë pjesën më të madhe, e cila shkon deri në 80 mijë lekë vetëm për karburant. E njëjta gjë ndodh edhe me telefonin. Statusi i deputetit u jep atyre atributin e pagesës së telefonit dhe në total, për deputetët e Kuvendit janë paguar 4.312.600 lekë.
Të vetmit që nuk kanë shpenzuar asnjë lek për karburant dhe për telefon janë kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, dhe dy zëvendëskryetarët, Vasilika Hysi dhe Edi Paloka, për të cilët karburanti dhe telefoni mbulohet nga Ministria e Brendshme për shkak të statusit që gëzojnë.
Por në Kuvendin e Shqipërisë ka edhe deputetë, të cilëve u paguhet qiraja nga ana e fondeve të institucionit. Konkretisht, për 10 deputetë të Kuvendit janë paguar nga 70 mijë lekë, respektivisht për periudhën kohore, e cila shkon për të paguar qiranë e apartamentit ku banojnë në Tiranë, duke qenë se janë deputetë që vijnë nga qytete të tjera të vendit.
Ajo që bie në sy është shuma e parave të marra nga deputetët përsa u përket dietave. Këto para vijnë për shkak të udhëtimeve të bëra jashtë vendit dhe për rrjedhojë, në total për deputetët e Kuvendit janë dhënë 9.180.255 dieta dhe totali i parave të paguara për ligjvënësit shqiptarë është 25.563.312 lekë, për periudhën kohore nëntor-dhjetor të vitit 2018.