Zyra e bashkëqeverisjes vijon të japë ditë pas dite zgjidhje konkrete për qytetarët shqiptarë që për vite me rradhë janë sorrollatur në dyert e administratës publike për të fituar atë që ju takon.
Në takimin javor të kryeministrit Rama me qytetarët që kanë marrë përgjigjen pozitive për zgjidhjen e shqetësimeve të tyre përmes platformës shqipëriaqëduam.al, u prezantua një tjetër rast që lidhet me lejen e legalizimit, problematikë kjo e mbartur ndër vite për një pjesë të madhe të qytetarëve shqiptarë.
Qytetari nga Durrësi, Florion Mita kishte aplikuar për t’u pajisur me një leje legalizimi që në vitin 2006. Që nga ajo kohë, për të kishte nisur një periudhë e vështirë sorrollatjeje në zyrat e shtetit, në kërkim të së drejtës së tij.
Herën e fundit që qytetari ishte interesuar për procesin në sportelet e institucionit i ishte konfirmuar se dosja e legalizimit të banesës kishte dalë nga arkiva që në Prill të 2018-ës, por që nga kjo periudhë nuk i ishte vënë në dispozicion asnjë dokumentacion.
I zhgënjyer për vite të tëra nga kjo prite e stërgjatur, qytetari vendosi t’i drejtohej platformës shqipëriaqëduam.al në Nëntor të vitit 2018 dhe në kohë rekord, pas marrjes së ankesës nga zyra e bashkëqeverisjes në Ministrinë e Drejtësisë. Pas plotësimit të dosjes së tij teknike, qytetari u pajis me lejen e legalizimin.
“Në fillim nuk besoja për rezultat nga platforma, pasi kisha aplikuar që në vitin 2006 dhe gjithnjë interesohesha derisa durimi arriti kulmin, kur më thonë që dosja ime kishte dalë për matjet në terren dhe asnjeri nuk e kishte marë mundimin të më njoftonte. Por kjo platformë më rezultoi efikase, ajo më dha zgjidhje”, tha qytetari në takimin me Ramën.