Partia Socialiste po përgatitet për një betejë të fortë me presidentin Ilir Meta. Ky i fundit i ka dhënë disa goditje qeverisë, duke bllokuar ministra e duke kthyer disa ligje për rishqyrtim. Por do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të sqarojë të gjithë situatën. Kryeministri Edi Rama tha të hënën nga Parlamenti se do të ketë disa padi në Kushtetuese ndaj presidentit. Gazeta ka mësuar nga kampi socialist se fillimisht janë planifikuar rreth 5 padi, ndërsa ky numër mund të ndryshojë derisa të ngrihet kjo gjykatë. Gazeta ka mësuar se çështja e parë që do të shkojë në gjykatë është ajo e bllokimit të Gent Cakës si ministër të Jashtëm.
Socialistët do të kërkojnë nga gjykata që të shprehet një herë e mirë nëse i takon presidentit të kthejë propozimet për ministra apo jo. Po ashtu do ketë padi dhe për refuzimin e shkarkimit të Ditmir Bushatit. Po sipas PS, presidenti është i detyruar të shkarkojë ministrin dhe do kërkohet sqarim nga gjykata. Por kjo nuk ndo të jetë padia e vetme, pasi do ketë një sërë padish dhe për ligjet që Meta ka kthyer për rishqyrtim. Janë rreth 3 ligje që mund të shkojnë në gjykatë.
Së pari është ai i buxhetit. Sipas socialistëve, presidenti nuk mund të kthejë ligjet financiare. Meta ktheu në Kuvend buxhetin e ri, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Po ashtu do ketë padi për ligjin e Kadastrës, i cili u kthye nga Meta. E njëjta gjë do të ndodhë dhe me ligjin për tatimin mbi të ardhurat, sa i takon dividentit. Sipas socialistëve, politikën fiskale e përcakton qeveria dhe presidenti nuk ka të drejtë të ndërhyjë në këtë mes. Paditë do të depozitohen sapo Gjykata Kushtetuese të marrë jetë.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka nisur punën për të verifikuar kandidatët dhe shpresat janë që deri në mars kjo gjykatë të jetë gati. Më pas PS do dorëzojë paditë dhe do nisë një betejë të fortë gjyqësore. Qëllimi i ankimimeve do jetë që të mos lejojë Presidentin të bëjë të rrugës bllokimin e emrave të rinj për ministra, bllokimin e shkarkimeve të ministrave, apo rrëzimin e ligjeve financiare.
Paralajmërimi i Ramës
Ditën e hënë kryeministri paralajmëroi se do të ketë një betejë të fortë gjyqësore me presidentin. Ai tha se do të bëhen disa padi në gjykatë. “Ne kemi përgatitur padinë. Në fakt do të jenë një numër padish në Gjykatën Kushtetuese, për një sërë shkeljesh nga ana e Presidentit të Republikës, por edhe për rastin konkret kemi përgatitur padinë, pasi kjo është një çështje që duhet zgjidhur qartë dhe përfundimisht, në kushtet kur Presidenti i Republikës ka marrë përsipër të veprojë në kundërshtim me të gjithë traditën e asaj Zyre dhe me te gjithë paraardhësit, pavarësisht nëse kanë qenë të një pale, apo një pale tjetër, apo mbi palët. Askush nuk e ka bërë këtë më parë”, tha ai.
Sinjalet janë se situata do agravohet dhe mbetet të shihet se çfarë do bëjë gjykata. Por gazeta ka mësuar se nëse Kushtetuesja shprehet se presidenti nuk ka të drejtë të kthejë pas propozimet e kryeministrit për ministra, atëherë Rama do dërgojë sërish emrin e Cakës për dekretim. Nëse Kushtetuesja i jep të drejtë presidentit, atëherë Rama do të dërgojë një emër të ri. Pra vetë kryeministri do mbajë postin e ministrit të Jashtëm derisa gjykata të japë vendimin e saj final. /Kliti Topalli