Kryeprokurorja Arta Marku ka nisur një vizitë 3-ditore në Turqi, në prag të ekstradimit të Izet Haxhisë. Vizita e saj e para jashtë vendit ka nisur pikërisht në Turqi, duke dhënë sinjale se vrasja e Azem Hajdarit edhe mund të rihetohet.
Izet Haxhia pritet të ekstradohet në Shqipëri brenda 10 marsit. Gjykata e Lartë turke më 7 shkurt vendosi të ekstradojë në Tiranë ish-truprojën e Sali Berishës, i akuzuar si pjesë e grupit që ekzekutoi Azem Hajdarin. Por sipas ligjeve turke, brenda 30 ditësh nga vendimi do duhet të bëhet arrestimi i tij dhe të bëhet kalimi në Shqipëri. Sipas afateve, kjo do të thotë se brenda datës 10 mars pritet ekstradimi i tij.
Kjo tregon se lëvizjet për të zbardhur autorët e vërtetë të Hajdarit kanë nisur dhe me ardhjen e Haxhisë në Tiranë do të ketë zhvillime shumë të forta në vend. Që kur ishte Ina Rama kryeprokurore u kërkua disa herë ekstradimi i Haxhisë, por duket se kjo do të ndodhë në epokën e Arta Markut.
Fillimisht do jetë gjykata ajo që do të vendosë nëse do rihapet dosja dhe pastaj është në dorë të organit të akuzës të vërtetojë akuzat ndaj Haxhisë, të ngritura që 20 vite me parë, shkruan gazeta “Sot”.