Nga Bedri Islami
Në të gjithë botën ka rrugaçë. Shqipëria është ndër të paktat vende në botë që rrugeçërit i ka në parlament.
Në të gjithë botën ka njerëz që i shërbejnë shërbimeve sekrete të huaja. Disa e bëjnë nga dëshira, disa nga paraja, disa të tjerë nga vartësia ideologjike. Shqipëria është ndër të paktat vende që njerëzit e shërbimeve të huaja i ka në parlament. Nuk e bëjnë se kanë shkak të jenë të zemëruar me vendin e tyre, nuk shërbejnë se kanë një hall apo vijnë nga vendet , të cilit i shërbejnë. Janë të tillë për dy shkaqe themelore: ose se duan të rrinë në pushtet, ose për pushtetin që i ka ikur nga duart dhe e dëshirojnë me çdo kusht, dhe, lidhjet e tyre familjare i kanë shtyrë drejt kësaj jete. Edhe kur rasti i sjell të jenë presidentë apo shefa qeverie. Edhe kur i kanë dajallarët e fëmijëve funksionarë të lartë të një shërbimi të huaj, si, ta zëmë të shërbimit serb. Edhe kur thërrasin si këshilltarë figura të lidhura haptas me shërbimin grek apo serb, dhe bile mburren për këtë. Edhe kur emërojnë ministra nipër e mbesa të funksionarëve të lartë të shërbimit sekret serb në Kosovë. Edhe kur i bëjnë rixha ministreshave greke dhe, për një puthje në faqe, janë gati të lënë peng gjysmën e detit jugor. Në këto gati 30 vite kemi pasur në politikën tonë kaq shumë “të deleguar” dhe “këshilltarë” të harbuar në sofrat serbe e greke, sa që nuk mund të ishte menduar.
Në shumë vende të botës ndodh që përplasja për pushtetin sjell debat, mendim, në fund të fundit ecuri dhe dëshirë të ligjshme për pushtet. Në Shqipëri, më saktë, në parlamentin e këtij vendi, përplasja vjen jo përmes debatit, por nga mendjet e boshta; debati është i panjohur përmes logjikës, por përmes sharjeve; “doktorët” e “doktoreshat” e shkencave janë ndër më kallpët e politikës, që, jo vetëm nuk kanë drojë se vjedhin, por edhe mburren me vjedhjen, mes deputetëve fjala vizion është diçka e huaj dhe e papërfillshme; dhunuesit nuk nxirren jashtë me shqelma, por janë të sigurtë se do të jenë përsëri deputetë e ndoshta ministra. Ministrat e sotëm ndjejnë keqardhje që, në një çast zemërimi të shefit janë të larguar në drejtimin e tyre, dhe, deputetët përballë, ata që i gjuajnë me miell e vezë, çizme, copra letrash të grisura, po ta kenë në duart e tyre, i hedhin edhe më shumë se kaq. Jo më kot dhe jo rastësisht , një nga drejtuesit e dikurshme, ka kërcënuar dhe i vjen keq që viti 1997 nuk i vrau të gjithë.
Përse ndodh kjo në parlamentin e Shqipërisë, ku, pasi hidhen bomba tymuese dhe çizme, bojkotime, largime, marrje pjesë në një seancë për të mos djegur një mandat, për pak kohë ripërsëriten skenat me ujë, miell, britje të çmendura dhe parulla në një gjuhë të huaj, përgjigje vendçe nga shumica, pastaj përsëri zemërim i përkohshëm opozitar, sharje qeveritare, sms-të e njohura erotike, pastaj instagram, sikur shteti bëhet përmes instagrameve dhe opozita vjen në pushtet përmes fb-ve: kundërshtim të një djali të ri për një post qeveritar nga ata që ishin pro drejtimit të qeverisë nga bashkëmoshatarë, të cilët, edhe pse janë ministra heshtin…
Qeveria e sotme mund të ketë mjaft të meta dhe, në fakt ka. Mund ta ndëshkosh për shumë gjëra, dhe është e drejtë që ndaj saj të mbash një gjykim më të ftohtë dhe më racional. Shefi i qeverisë së sotme, megjithëse pritej shumë ndryshe nga ai dhe tani po rrëshqet marramendshëm ndaj humbësit të shpresës dhe të përkulurit ndaj forcës, më herët disi i prirë drejt nacionalizmit dhe befas kozmopolit, ende nuk e ka mësuar të vërtetën se pushteti i është dhënë atij nga njerëzit e zakonshëm, të cilët, në mjerimin e tyre, kanë pritur nga ai pikërisht shpresën.
Por, mbi të gjitha, qeveria dhe shefi i saj, duhet të marrë mësimin e mos mbajtjes së fjalëve: të fjalës që është dhënë rreth 5 vite më parë për të ndëshkuar krimin e ndodhur para ardhjes së saj në qeveri; fjalës që ka dhënë kur ishte në opozitë se, maskarenjtë dhe oligarkët e politikës maskaruese një ditë do të ndëshkohen për mjerimin dhe se, pas epokës së qeverisjes së saj do të jetë një frymë e re qeverisjeje.
Ajo, qeverisja, dhe Ai, qeverisësi, nuk e bënë këtë. Po e lënë vendin ashtu si e gjetën, me njerëz të pandëshkuar e disa herë të mikluar pranë vetes. Edhe sikur të qeverisin në dhjetë vitet e ardhshme dhe gjasat janë të qeverisin gjatë, jo për meritë të tyre, por nga boshllëku politik që kanë përballë, ata, me këtë frymë, avashtësi dhe pritje, do të kenë përsëri pranë vetes, në atë sallë që nuk i ngjan asnjë parlamenti, po këto njerëz, të cilët kanë mbi vete vjedhje, tallje, shitje të atdheut dhe vrasje.
Të gjithë së bashku kanë drojën e pazakontë të Vetingut. Thelbi i çdo proteste opozitare apo i çdo heshtjeje qeveritare është pikërisht ky: mundësia e humbjes së pasurisë së tyre dhe kthimi i tyre ashtu si janë në të vërtetë: në hiç.
Në të gjithë këto ditë, veç atyre gjyqtarëve e prokurorëve të larguar apo të atyre që janë tërhequr nga profesioni për t’i shpëtuar kontrollit financiar, të paktë janë ata që kaluan “klasën”, por, nëse kjo do të kishte filluar me politikën, do të ishte një humnerë edhe më e thellë.
Një klasë politike që është e gatshme të përmbysë vendin për pallatet e tyre, një shumësi që është deleguar në parlament në emër të Njëshit për të qenë zero; disa trungje në vend të mendjeve, njerëz që nuk gëzohen se përçuan një vizion, por që sulmuan me gurë; grupe të politikës që ngjajnë më shumë me grupe kriminale se sa me njerëz të ligjit dhe që në të vërtetë duhet të jenë objekt i ligjit; liderë politikë që mburren kur u thonë se jeni agresivë… këto nuk mund ta bëjnë shtetin. Këto janë, në të vërtetë, antishtet.
Ne kemi një grup parlamentar opozitar që sundohet me dorë të hekurt nga një njeri i çartur, që, sa vjen e çartet më shumë, por që autoritetin e ka të mbivendosur mbi të gjithë e mbi gjithçka; që ka krijuar perandorinë e së keqes dhe lëshon, herë pas here, langonjtë e tij të politikës, si të ndërsyer. Një grup opozitar që mbështet lëvizjen e tij sipas humorit apo antihumorit të një njeriu bën atë çka ndodh në një sallë parlamenti. Jo rastësisht të kujton profilin e një lideri të dikurshëm fashist, lajmet për të cilin shtatmadhoria i përgatiste sipas humorit të ditës.
Ne kemi një grup parlamentar qeverisës që nuk e di pse është aty, veç ngritjes së kartonit. Ata i ngjajnë më tepër pallatit të kukullave, se sa njerëzve me personalitet. I gjithë mendimi i saj është tek deklaratat partiake të Ballës, si njeriu i dytë në PS dhe tek deklaratat vetjake në rrjetet sociale të Pjerin Ndreut. Shumë prej tyre do e kishin dhënë me gëzim mandatin e deputetit, nëse u kërkohet të jenë kryetari bashkie ku janë të bindur se fitojnë.
Shumë afera janë të ngritura mbi kokën e opozitës. Por, po kaq, në mos më tepër, mbi shpatullat e qeverisjes. Viti 2018 kishte rekordin e tij të njëjtë me rekordin e vitit 2013. Shumë prej tyre janë nën ankthin e një dite kur gjërat mund të jenë të prapështa për to, por të mbara për të tjerët dhe, të tjerët janë shumica. Armiku i tyre nuk është parlamenti. Ata e kanë bërë përcaktimin e tyre: është shefi i qeverisë, dhe ky ka qenë gjithnjë, jo kundërshtari, por armiku; dhe nuk është përjashtim nga rasti (armik i tyre ka qenë edhe Nano, në kohën e tij e më pas u bënë vëllezër, edhe Majko, që shpërfillshëm i vënë mbi kurriz pasuri marramendëse, edhe Meta, që tani është sivëllai i tyre e nesër mund të jetë edhe Rama), armike e tyre është edhe një grua që, në genin e saj është e djathta, deri para kohësh në periferinë e sistemit, prokurorja e përgjithshme, e përkohshme, Arta Marku, e cila është gjuajtur më shumë se gjithë të tjerët së bashku e po kërcënohet aq haptas sa nuk ndodh kurrë në një vend të zakonshëm demokracie.
Në 28 vite pluralizëm shembja më e madhe që ka ndodhur është shteti. Shteti është shembur. Tani vendi ndodhet në mes dy përballjeve: të atyre që duan të bëjnë shtet dhe përmes dëshirës bëjnë gabime, dhe, atyre që duan antishtetin, shkatërrimin e shembjen e vazhdueshme të tij.
Berisha deklaroi triumfueshëm se revolucioni hyri në sallën e parlamentit.
Është e para herë që një revolucion, si ka paralajmëruar Paloka, mund të nisë me miell, vezë e ujë.
E mjera opozitë, e cila, ende nuk e ka kuptuar se çmenduria ndaj pushtetit nuk është edhe çmenduria e krejt vendit.
Kur ta mësojë do të ketë nisur periudhën tjetër legjislative të opozitarizmit.
I shkreti pushtet që nuk e kupton se kjo rrugë e çon drejt humbjes dhe ndoshta edhe drejt ndëshkimit