Zef Brozi, ish-kryetar i Gjykatës së Kasacionit, kujton 21 janarin e vitit 2011. Në një reagim në rrjetet sociale, Brozi thotë se në 21 janar të 2011 ajo që ndodhi ishte një akt terrorist, që sot ende nuk janë hetuar dhe dënuar fajtorët. Ish-kreu i Gjykatës së Kasacionit, shkruan më tej se urdhëruesit po shijojnë frytet e korrupsionit dhe krimeve të tyre.
Reagimi i plotë i Zef Brozit:
Sot u mbushën 8 vjet nga dita e zezë e 21 Janarit 2011 kur akti terrorist shtetëror gjakosi bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke vrarë katër protestues paqësorë e të paarmatosur: Aleks Nikën, Ziver Veizin, Hekuran Dedën dhe Faik Myrtajn, duke plagosur dhjetra protestues të tjerë mes të cilëve edhe gazetarin Fatos Mahmutaj, i cili tani është azilant politik në Belgjik. Për turpin e organeve të Drejtësisë (më saktë –organeve të Padrejtësisë) urdhëruesit dhe organizatorët e këtij krimi shtëtëror akoma nuk janë hetuar e dënuar, përkundrazi, ata janë deputetë në Parlament dhe disa edhe drejtues partish politike.
Ata shijojnë qëtësisht frutet e korrupsionit dhe krimeve të tyre dhe po bëjnë gjithcka munden të pengojnë Reformën në Drejtësi dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Organet e reja të Reformës në Drejtësi duhet t’i japin fund Pandëshkueshmërisë së krimit e korrupsionit të pushtetarëve e ish pushtetarëve të lartë të cdo kohë, pra edhe të aktit terrorist shtetëror të 21 Janarit.
Familjarë, miq, të afërm dhe qytetarë të shumtë përkujtuan sot me lot në sy si çdo vit Aleks Nikën, Ziver Veizin, Hekuran Dedën dhe Faik Myrtajn, katër protestuesit e vrarë nga Garda e Republikës gjatë protestës në 21 janar 2011. Me lot në sy ndërsa në duar mbanin lule, nga Kryeministria ata marshuan në drejtim të vendit ku u qëlluan për vdekje 4 protestuesit e opozitës. Familjarët apelojnë për drejtësi, ndërsa shpresa për ta mbetet drejtësia e re dhe institucionet që pritet të ngrihen si SPAK-u dhe BKH-ja.