Nga Gjon Neçaj
Qazim Uka prej Lugut të Zi të Tropojës ka shumë për të treguar nga jeta e tij, nëse ja gjen telat, sigurisht.
Një vargan ngjarjesh interesante, ku fati i ka rënë të jetë afër emrave të politikës, përbëjnë një pjesë të mirë të jetës së tij. Mbahet si enverist me nam, ndonëse nuk ka pasur privilegje në kohën e tij.
Njihet gjithashtu për plisin që mban mbi kokë, veshjen shik me kostum, jelek, këpucë të lustruara, këmishë të bardhë që e mban përherë mbërthyer deri në fyt; si dhe për hajen që përgjithësisht e ka bukë me djathë dhe turshi. “Një zakon i hershëm me një histori trishtuese”, thotë ai, pa hyrë në detaje.
Është gjithashtu një patriot i madh, ku zemra i rreh gjithnjë për Kosovën.
Pranë Enverit, me Enverin…
Episodi i parë i jetës së tij, që e lidhi shumë dhe me figurën e Enver Hoxhës, ka qenë pjesëmarrja në mbledhjen e famshme të 81 partive në Moskë, atje ku Enveri sokëlliu duke ia bërë rrup-cup Hrushovit, me denoncimin e revizionizmit sovjetik, të paktën siç e kemi mësuar në librat e historisë komuniste. Ka qenë atje jo si kuadër, por si ushtar, si gardist.
“Kur fillova t’i bie me brisk faqeve më morën ushtar. I bie nga fillimi i viteve 60-të të shekullit të kaluar. Në vjeshtën e atij viti, 61 parti komuniste u mblodhën në Moskë. Si ushtar i Gardës së Republikës për ruajtjen e personaliteteve politike dhe shtetërore, u caktova si një nga ushtarët e gardës që të marrë pjesë në grupin e shoqërimit të udhëheqësit dhe degacionit shqiptar. Pasi mbarova shërbimin ushtarak, jashtë vullnetit të drejtuesve të Gardës që kërkonin të më mbanin aty, unë nuk pranova dhe erdha në Tropojë pranë prindërve të mi. Por edhe u betova në heshtje se sa të marr frymë do jem krah për krah me Enver Hoxhën, udhëheqësin e shquar të popullit shqiptar, i nxituar dhe entuziasmuar nga fjalimi para 81 partive në Moskë”, rrëfen plaku Qazo fillesat e tij pra të enverizimit.
Qazoja, shpërndarës traktesh në Kosovë
Episod tjetër, po me Enverin, do ishte ai i “shpërndarjes së trakteve komuniste” për vëllezërit në Kosovë, aty ku do njihej e bëhej shok dhe me plisin e bardhë të shqiptarisë.
Dhe ja për çfarë bëhet fjalë sipas rrëfimit të tij:
“Në vitin 1966, më 19 shtator, Enveri mbajti një fjalim madhështor për Kosovën. (E teksa flet, nxjerr nga xhepi i brendshëm i xhaketës disa fletë të palosura dhe të zhubravitura prej përdorimit të shpeshtë, ku teksa lexojmë, ana lutet të shkruajmë fjalët e nënvizuara).
“E thonë pastaj se Enveri e ka shitë Kosovën”, hakërrehet Qazimi, duke cituar letrën e Enverit:
“Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë”, apo “Ne do të ndihmojmë me luftën tonë të drejtë vëllezërit tanë kosovarë dhe gjithë popujt vëllezër të Jugosllavisë.”
“Unë, vazhdon bisedën Qazim Uka, u ngarkova së bashku me disa shokë të tjerë që të kalojmë ilegalisht në Kosovë dhe të shpërndajmë fjalimin e Enver Hoxhës. Në Prishtinë, shoferi i taksisë me të cilin udhëtonim, mbante plis të bardhë në kokë. Ai u bë shkak që tash 50 vjet e sa të jem gjallë, plisin e bardhë, simbol i shqiptarëve, ta mbajë edhe unë në kokë.
snapshot
Plisi i Qazos në kokën e Billit…
Dhe kështu, Qazo tropojani vazhdon rrugëtimin e tij të jetës duke shënuar episod mbas episodi, siç do qe dhe ai i ngjeshjes së plisit në kokën e Bill Klintonit, gjatë vizitës së këtij të fundit në Kosovë.
“Në Prishtinë, sheshi ‘Bill Klinton’ ishte mbushur plot e për plot. Ndodhesha diku nga fillimi, por ishte e vështirë, të paktën dhënia e dorës; por kur më pa Klintoni, m’u afrua e më tërhoqi pranë vetes, më përqafoi dhe mori plisin tim të bardhë dhe e vendosi në kokën e tij. Pastaj pranë erdhën edhe disa të moshuar kosovarë me plisa të bardhë në kokë.”
Dhe më pas me Edi Ramën…
Një episod, ai e ka patur dhe me Edi Ramën, por pa plis.
“Nëntorin e shkuar isha i ftuar në festën e flamurit në Vlorë. Ndodhesa diku afër tribunës e përballë meje u shfaq kryeministri Edi Rama me të cilin takova. Takimin e kryeministrit me Qazimin e përcollën edhe mediat e shkruara dhe televizive”, shprehet ai me krenari për veten, duke cituar se si e raportuan ato këtë rast:
“Kryeministri Edi Rama për festën e flamurit ka qenë në Vlorë, ku ka marrë pjesë në ceremoninë e përvitshme që organizohet për pavarësinë e Shqipërisë.
Ndër ceremonitë e zakonshme ka spikatur takimi i tij me një burrë të moshuar mes tyre.
Zotëria në fjalë mbante qeleshe dhe disa dekorata mbi xhaketë.
Ai u shpreh për mediat se është një patriot dhe se vjen gjithnjë në Vlorë.
Kësaj here ai takoi me shumë gëzim Ramën, me të cilin këmbeu disa fjalë.
Mësohet se personi në fjalë quhet Qazim Uka dhe është nga Tropoja.”
Kështu pra, ky është Qazim Uka, tek i cili mungon ndonjë episod me bashkëpatriotin e tij, Sali Berisha; të cilin ka patur shumë arsye për ta njohur e takuar, meqë dikur kanë qenë me një parti. /tesheshi.com/