“Do kemi kohë, do kemi kohë”!
Kjo ishte përgjigjia e vetme e kryedemokratit Lulzim Basha i pyetur nga gazetarët nëse ndjehet i kërcënuar nga partia e re që mendohet se do të krijohet nga ish-garda e vjetër e PD-së.
Krijimi i partisë së re, u ‘lançua’ një ditë më parë nga ish-deputeti demokrat Astrit Patozi, gjatë një takimi me simpatizantët e djathtë në qytetin e Korçës. Por a e dëmton realisht PD-në e Bashës, një parti e re e krijuar nga Patozi, Ruli, Bode, Topalli, mbase edhe Bregu? (Nëse ish-kolegët vendosin të bashkohet të gjithë kundër Bashës) Patjetër që po!
Duke i analizuar me rradhë, Patozi është një nga emrat e vjetër në PD që padyshim ka prurjet dhe ndikimin e tij në këtë parti. Topalli, ish-deputetja shkodrane, që vështirë se i del inati ndaj Bashës, mund të përçajë demokratët e Shkodres duke i drejtuar në partinë e re. Edhe Bode dhe Ruli gjithashtu në Korçë, Pogradec dhe Gjirokastër. Ndikimi i demokratëve të Bodes, u ndje edhe gjatë fushatës së zgjedhjeve. Disa drejtues të PD-së në Pogradec, që ishin mbështetës të Bodes, dolen kundër deputetit të ri Klevis Balliu, duke sjellë trazira në politikën e brendshme të kësaj partie.
Megjithatë, Basha dhe deputetët e tij, u shprehen ironikë dhe të bindur kur u pyetën sot nga mediat, nëse ndjehen të kërcënuar nga partia e re e demokratëve ‘të inatosur’. A do të jetë kjo parti e re një imitim i LSI-së, e cila, ku u nda nga PS, arriti të rritet dhe të bëhet forcë e tretë, apo do të jetë një flluskë sapuni si FRD e Bamir Topit, që nuk e votuan as tironsit? Kjo ngelet për tu parë! Por ajo që duket qartë, është se lidershipi i Bashës, lë shumë për të deshiruar.
Kjo jo e thënë nga ne, por nga vetë demokratët dhe deputetët që vetë Basha i futi në listë. Për të dashur që ti mbyllë gojës dhe për ti treguar se edhe ai ka ‘muskuj’ si babai i tij politik (Berisha) Basha u bashkua me LSI. Mbase duke kujtuar se ‘martesa’ e Berishës me Metën rezultoi e sukseshme, jo se bënë ndonjë gjë për popullin, por mbulonin njëri-tjetrin dhe deklaronin një dashuri të madhe në mes të Kuvendit, kështu që edhe Basha u bashkua me Monikën. Por a do e shpëtojë ‘Monika me çizme’ Bashën nga Garda e vjetër e PD-së?
Ajo që nuk kuptojnë demokratët, është se të gjitha votat që i kanë rrjedhur që nga viti 2009 e deri më tani, nuk i ka marrë PS-ja , por LSI-ja. Berisha duke dashur që të dëmtojë të majtët, u bashkua me Metën, i cili u rrit në kurriz të demokratëve. Nga zgjedhjet e 2009 e deri më tani, rritja e LSI-së, është tkurrja e PD-së. Ndërsa PS-ja ka qëndruar konstante, madje edhe u rrit kohët e fundit.(mjafton të shikoni votat e secilës parti ndër vite) PD-ja aktuale, është e kthyer në një oaz i asaj partie që dorëzoi Berisha duke fshirë djersës nga humbja e 2013-ës.
Opozitë po bëhet në dy mënyra, ose të paktën këtë arrijnë të shikojnë qytetarët: a) Grida Duma dhe Ervin Salianji, duke akuzuar qeverinë Rama, që deri tani nuk i kanë shkundur as ‘pluhurin’ mazhorancës…as me peshqit e blerë te Pazari i Ri dhe duke i çuar në studio televizive. (E vetmja bujë e tyre ishte muhabeti i seksit mes Salianjit dhe shtetases GD.) Metoda e dytë e opozitës është tërbimi i Flamur Nokës, i cili sa herë i thonë vërsulet në podium dhe pengon seancat plenare, gjasmë i indinjuar pse Ruçi nuk lë Bacë Berishën të flasë sa dhe kur do ai.
Edhe protestat e organizuara nga çifti politik Basha-Kryemadhi, nuk rezultuan të sukseshme, pasi siç u pa, qytetarët nuk iu përgjigjen masivisht thirrjes së tyre. (numri shumë here më i vogël nga ai që deklaroi PD-ja) Parë nga këto këndvështrime, Patozi, i bashkuar me grupin e tij, mund të dëmtojë PD-në e Bashës. Ky i fundit mund të përfundojë i vëtëm në SHQUP, i shoqëruar ose jo nga kunati i tij… Ndaj Bashë, fol tani pasi s’ke kohë për më vonë!/Pamfleti.com