Të thuash e të përmendësh emrin “Margarita Xhepa” i ke thënë të gjitha. Margaria është burimi i një cilësise të lartë artistike, ku nëpërmjet artit të saj, i dhuron publikut emocione pafund.
Margarita Xhepa “Nderi i Kombit”, “Mjeshtre e madhe”, ka luajtur mbi 150 role në skenën teatrore, dhe mbi 33 filma artistikë.
Aktorja shqiptare, lindi më 2 prill 1932 në Lushjna, Shqipëri. Studioi në Liceun Artistik, Dega e Dramës për të vazhduar më pas rrugën e gjatë të artit. Nga viti 1950 u aktivizua si artiste probiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Një nga Zonjat e Mëdha të teatrit shqiptar. Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar, për të shkëlqyer në dramën “Streha e të harruarve”, një tjetër sukses në karrierën e saj 50-vjecare.
Fëmijëria
Margarita si një margaritar i artit, është një nga akoret më të dashura për publikun. “Isha një vajzë e brishtë, që më pëlqenin fustanet me lule, të cilët derdheshin mbi kërcinjtë e gjatë, e që ecja këmbë zbathur nëpër rrugët e Myzeqesë.”- kështu është shprehur Margarita, duke kujtuar fëmijërin e saj. Një fëmijëri në një kohë dhe vend të varfër, ku lodrat nuk njiheshin, përveç kërcimit me litar, por përsëri fëmijëria është një pasuri e madhe për Magaritën.
“Nëna ime u nda prej meje, kur isha 9 vjeçe, as fëmijë dhe as e rritur, duke më krijuar një boshllëk të madh, një dhimbje, që do të më shoqëronte tërë jetën. Nuk e di, por më është krijuar bindja se ishin pikërisht rrëfimet e saj, ato që ndezën tek unë dëshirën për të ndjekur më pas rrugën e bukur të artit. “- shprehet artistja.
Teatër
Në 150 rolet e sajë në teatër vazhdojnë të përmënden disa nga më të suksesshmit si: “Majlinda” (Xh. Broja), Dafina tek “Lumi i vdekur” (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja tek “Cuca e maleve” (Loni Papa), Zonja Mëmë tek “Kush e solli Doruntinën” (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna “Përballë vetes” (Ruzhdi Pulaha)
Dramaturgjia botërore
Ka qënë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek “Hamleti”, Vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, Dado tek “Romeo e Xhulieta”, Mbretëresha Margaret tek “Rikardi i III”, të Shekspirit.
Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea tek “Dhelpra dhe rrushtë” (Figereido), Lena tek “Xhaxha Vanja” (Çehov), Ledi Milford tek “Luiza Miler” (Shiler), Zonja Berling tek “Vizita e inspektorit” (Pristli), Zonja Lomen tek “Vdekja e një komisioneri” (A. Miller), Ana Andrejevna tek “Revizori” (Gogol), Marsela tek “Qeni i kopshtarit” (De Vega), Mashenka tek “Mashenka” (Afigenov), Shejla tek “Morali i zonjes Dulska” (Zapolska), apo Dado tek “Elektra” e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë, në Athinë.
Kinematografi
Veç roleve në teatër, ka realizuor edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë. Me K. Dhamon xhiron “Vitet e para” dhe “Gjurmët”, me I. Muçajn e K. Mitron “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë” dhe “Apasionata”, me Viktor Gjikën, “Gjeneral gramafoni”, me E. Musliun, “Rrethi i kujtesës” dhe “Vitet e pritjes” (E. Musliu), me Kujtim Çashkun, “Dora e ngrohtë”, me Dhimitër Anagnostin, “Gurët e shtëpisë sime”, me P. Milkanin, “Pranvera s’erdhi vetëm”, me S. Kumbaron, “Koncert në vitin 1936”, me Gj. Xhuvanian “E diela e fundit” dhe “I dashur armik”.
Aktorja interpretoi ne filmin grek “Mirupafshim” (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e Madh ne Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa, Çmimin e Nderit.
Filmi- Dokumentar “Margarita”
Filmi dokumentar “Margarita” i përgatitur në 80-vjetorin e lindjes së saj, u shfaq premierë në Teatrin Kombëtar, në skenën ku aktorja e njohur mban peshën e më shumë se 150 roleve. Dokumentari ka firmën e regjisorit të shquar të dokumentaristikës shqiptare, Mjeshtërit të Madh, Kujtim Gjonaj. Angjelina Xhara është skenaristja e këtij filmi, që erdhi deri këtu nga përvoja e gjatë dhe e suksesshme në filmin dokumentar, por edhe si autorja e librit të parë për Artisten e Popullit, Margarita Xhepa. Bashkëpunimi krijues mes autorëve kryesorë të filmit, duke përfshirë këtu edhe kamerën shprehëse të operatorit Kristaq Janushi, solli në ekran një film dokumentar, që do të radhitet krahas filmave më të mirë të realizuar nëpër vite në gjininë e filmit dokumentar.
Vetë regjisori Kujtim Gjonaj tregon vështirësinë e realizimit të këtij filmi, sepse kishte një det materialesh fotografike, kinematografike, skenike, që duhej futur brenda një dramaturgjie të caktuar, duke u kombinuar me xhirimet në vende të ndryshme, të cilat do të përfshinin në mënyrë emocionale jetën artistike dhe jetën familjare e shoqërore të artistes. U gjet çelësi dramaturgjik, poetik dhe emocional për të dhënë një jetë të shquar artistike vetëm në 50 minuta. Një mjellmë, një margaritë, një gjethe, një shtëpi e thjeshtë në Lushnjë, Divjaka, Akropoli i Athinës, zëri i saj poetik e drithërues, janë përdorur falë skenarit origjinal e dramaturgjisë regjisoriale të veçantë, për ndërtimin e një vepre artistike me emocionalitet të lartë. Ky është filmi me titullin e thjeshtë “Margarita…”. Filmi ia arrin qëllimit duke u përçuar te spektatori talenti i padiskutueshëm i saj në skenë, në ekran dhe në interpretimin e poezisë.