Me prezantimin e Paktit të Universiteteve, ditën e sotme, është përcaktuar edhe mënyra e financimit, për rehabilitimin e plotë të të gjithë strukturave akomoduesve të studentëve në vend.
Pikë së pari, ndryshimet ligjore sjellin një transformim të plotë të mënyrës së financimit të konvikteve, të cilët janë në varësi të Ministrisë së Financave, më përjashtim të atyre që ndodhen në Tiranë, të cilët i janë kaluar vite më parë nën varësi Bashkisë së Tiranës.
Megjithatë, si shoqëri aksionere me kapital shtetëror, financimi i konvikteve deri më tani i lihej në dorë institucioneve nga të cilat ato vareshin, duke i përjashtuar nga mundësia e granteve shtetërore.
Ndryshimet ligjore të aplikuara në Paktin për Universitetet kanë përmbysur këtë situatë, duke bërë pjesë edhe konviktet të financimeve të drejtpërdrejta nga ana e buxhetit të shtetit.
Menjëherë, janë vendosur në dispozicion rreth 3 milionë dollarë, nga buxheti për përmirësimin e infrastrukturës së tyre gjatë vitit 2019.
Megjithatë, ky financim është vetëm një pjesë e vogël e investimeve që do të fillojnë në konvikte.
Me një fond prej Bankës Gjermane të Investimeve (KfW), me vlerë prej 16,8 milionë eurosh, do të nisë gjatë këtij viti rehabilitimi i plotë i 13 rezidencave studentore që ndodhen në Tiranë, nga 37 që është totali i tyre.
Ministria e Financave është duke negociuar me KfW për një fond të dytë, me vlerë 27 milionë euro, për të vijuar rehabilitimin e plotë të ndërtesave studentore në Tiranë dhe nëpër rrethe.
Më herët, Kryeministri Rama zbuloi se në mandatin e ardhshëm të Bashkisë së Tiranës është në plan të zbatohet projekti për ndërtimin e një kampusi të ri modern universitar, i cili do të rrisë ndjeshëm kapacitetin akomodues.
Dokumenti final i Paktit të Universiteteve u prezantua ditën e sotme nga Kryeministri Rama, në prezencë të ministres së re të Arsimit, Besa Shahinit.
Në këtë dokument parashikohet me detaje zgjidhja për të teta kërkesat e parashtruara gjatë protestave të studentëve në muajin dhjetor, por ashtu siç ishte paralajmëruar nga qeveria, përfshihen edhe një numër lehtësirash të tjera të pakërkuara, që zgjerojnë më tej skemën e përfitimit të studentëve.