Pakti për Universitetin, që është prezantuar sot nga qeveria shqiptare, do të sigurojë tashmë një lidhje të konsoliduar mes fakulteteve dhe institucioneve respektive, sipas fushave specifike.
Qeveria ka vendosur që çdo ministri të marrë përsipër të patronazhojë një fakultet, duke ndihmuar në trajtimin e problematikave por edhe në rritjen profesionale të studentëve, përmes aksesit në praktika pune dhe shanse të barabarta punësimi.
Ministrja Ogerta Manastirliu foli gjatë prezantimit të paktit për studentët e infermierisë dhe mjekësisë,si dhe nevojës së tyre kryesore, mundësimi i praktikave klinike.
“Intershipet brenda strukturave tona do të jenë në rritje, ndërkohë që do të ketë një sistem të mentorimit të studentëve që kryejnë praktika nga profesionistët”, tha Manastirliu.
Ministrja theksoi se do të forcohen më tej praktikat më të mira të rekrutimit me bazë meritokracinë, duke dhënë lajmin e mirë se do të ketë 10 pikë bonus në vlerësimin profesional për të gjithë infermierët që vijnë nga shkolla me rezultate të larta.