Ditën e sotme, Kryeministri Rama, se bashku me ministren e Arsimit Besa Shahini, dhe disa ministra te tjere qe kane ne patronazhim Universitetet, prezantuan dokumentin përfundimtar të Paktit për Universitetet.
Në këtë dokument, ashtu siç ishte paralajmëruar, përveç realizimit të tetë kërkesave kyçe të studentëve, do të përmbushen edhe një numër kushtesh të tjera të pakërkuara.
Përsa i përket pagesave, plotësohet kërkesa bazë për reduktimin e tarifave të shkollimit me 50% për të gjithë studentët, pa përjashtim. Jane mbi 90 mije studente qe perfitojne nga VKM per tarifat.
Studentët që vijnë nga shkollat e mesme me mesatare mbi 9, si dhe të gjithë ata që mbajnë këtë mesatare gjatë ciklit bachelor, do të përfitojnë arsim tërësisht falas.
Megjithatë, qeveria ka zgjeruar skemën e përfituesve të arsimit falas edhe me tetë kategori të tjera shtesë, diçka që nuk ishte kërkuar nga ana e studentëve.
Duke nisur nga ky vit akademik, studentët me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor, nuk do të paguajnë më pavarësisht mesatares së tyre.
Njëkohësisht, çlirohen nga detyrimi i pagesës të gjithë studentët, familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike të plotë apo të pjesshme.
Kategori të tjera përfituese do të jenë jetimët, deri në moshën 25-vjeçare, ata që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate, ata të cilët identifikohen si viktima të trafikut të qënieve njerëzore apo studentët romë dhe ballkano-egjiptianë.
Dy kategori të tjera përfituese do të jenë të gjithë fëmijët e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë të sistemit komunist apo fëmijët e punonkjësve të Policisë së Shtetit, Gardës, zjarrëfikësave, SHISH-it apo Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye të detyrës.
Për të gjitha këto kategori, lehtësirat do të shtrihen edhe në ciklin e dytë të studimeve.
Për programet master, të gjitha kategoritë e lartpërmendura do të paguajnë vetëm 50% të tarifës. E njëjta lehtësi parashikohet edhe për të gjithë ata studentë, të cilët ciklin bachelor do ta mbyllin me një mesatare 9 ose më të lartë.