Hapet rruga për marrjen e shtetësisë shqiptare për të gjithë pjesën e popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të Shqipërisë, për shkak të emigrimit të hershëm apo të vonshëm, me kushtin që personat të kenë ruajtur lidhje gjuhësore, kulturore dhe të traditës me Shqipërinë. Kështu parashikon nisma e re ligjore e hartuar nga qeveria shqiptare, e cila ndryshon kushtet, rregullat dhe procedurat për fitimin, rifitimin dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare.
Projektligji i zbardhur nga shqiptarja.com është në fazën e konsultimeve, ndërsa së shpejti do të miratohet nga Këshilli i Ministrave, për t’u depozituar më pas për shqyrtim dhe miratim në Parlament.
Përpos të tjerave, projektligji i propozuar ka zgjeruar mënyrat e fitimit të shtetësisë si dhe ka lehtësuar kriteret, duke parashikuar fitimin e shtetësisë me origjinë, duke i dhënë mundësinë dhe asaj pjese të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve, përfshirë ata që kanë emigruar në kohët e hershme, por edhe ata që kanë emigruar pas viteve ’90 dhe që kanë humbur shtetësinë, por që dëshirojnë të kenë një lidhje të qëndrueshme juridike me shtetin shqiptar. Në nenin 6 të projektligjit thuhet se ‘shtetësia shqiptare në bazë të origjinës, fitohet nga i huaji, të paralindurit e të cilit kanë apo kanë patur shtetësinë shqiptare në momentin e paraqitjes së kërkesës, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë, deri në dy shkallë, e kërkuesit me të paralindurin”.
Përjashtimet
Nuk mund të fitojnë shtetësinë shqiptare ata persona me origjinë shqiptare që kanë qenë të dënuar në shtetin e vet, në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet të tretë, për vepra penale, për të cilat ligji shqiptar parashikon dënime me jo më pak se 3 vjet heqje lirie. Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm në ato raste kur vërtetohet se dënimi është dhënë për motive politike. Gjithashtu, nuk mund të fitojnë shtetësinë shqiptare ata shqiptarë që përbëjnë kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë.
Fitimi i shtetësisë për fëmijët
Në nenin 5 të projektligjit janë parashikuar rastet e fitimit të shtetësisë me lindje, ku është përcaktuar që fëmija që lind duke patur qoftë dhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare e fiton vetiu shtetësinë shqiptare. Konkretisht, një fëmijë që lind duke patur qoftë edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare me lindje dhe regjistrohet si shtetas shqiptar në gjendjen civile. E drejta për t’u regjistruar si shtetas shqiptar, nuk parashkruhet edhe pasi ka mbushur moshën 18 vjeç. Një fëmijë i lindur, ose i gjetur brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, fiton shtetësinë shqiptare në rast se ai është lindur nga prindër të panjohur dhe si pasojë do të mbetej pa shtetësi. Në rast se prindërit e fëmijës bëhen të njohur ligjërisht përpara se fëmija të ketë mbushur moshën 14 vjeç, dhe janë shtetas të huaj, ata mund të kërkojnë heqjen e shtetësisë shqiptare të fëmijës me kërkesë, me kusht që fëmija të mos mbetet pa shtetësi, si pasojë e këtij veprimi.
Lehtësimi për të lënë shtetësinë
Në projektligj janë parashikuar kushtet për heqjen dorë nga shtetësia shqiptare dhe në veçanti për fëmijën, ku është rregulluar rasti i heqjes dorë për fëmijën me prindër të divorcuar. Në këtë rast, kërkesa për heqjen dorë nga shtetësia shqiptare, bëhet nga prindi, të cilit i është lënë përgjegjësia prindërore me vendim gjykate të formës së prerë, duke zgjidhur problematikën e lidhur më pëlqimin e prindit tjetër, kur ai nuk gjendet, apo “refuzon” dhënien e pëlqimit. Projektligji parashikon procedurat për fitimin, rifitimin dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare, duke përcaktuar qartë institucionet përgjegjëse, ku paraqitet dhe shqyrtohet kërkesa. Janë rishikuar dhe ndryshuar afatet procedurale për shqyrtimin e kërkesës dhe dokumentacionit shoqërues, pas analizës së bërë për shmangien e problematikave të shkaktuara në drejtim të vonesave, apo kapërcimit të afateve për shkaqe objektive, të lidhura në veçanti me verifikimet që bëhen për përmbushjen e kushteve ligjore pranë institucioneve përkatëse.
Kushtet për të fituar shtetësinë për personat me origjinë shqiptare
-Të kenë ruajtur lidhje gjuhësore, kulturore dhe të traditës me Shqipërinë.
-Të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë deri në dy shkallë
-Të mos jenë dënuar për një vepër penale për të cilën parashikohet dënim deri në tre vjet burg
-Të mos përbëjnë rrezik për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë
Kushtet për të hequr dorë nga shtetësia
-Ka mbushur moshën 18 vjeç;
-Nuk mbetet pa shtetësi, si rezultat i heqjes dorë nga shtetësia shqiptare;
-Është rezident i ligjshëm në një shtet të huaj;
-Ndaj tij nuk ka filluar ndjekja penale për veprat penale, për të cilat, sipas legjislacionit penal shqiptar, parashikohet dënim me burgim jo më pak se 5 vjet;
-Nuk ka detyrime ligjore ndaj institucioneve publike, personave fizikë dhe juridikë;
-Ka likujduar të gjitha detyrimet financiare që mund të ketë ndaj gruas apo fëmijës së tij, të cilët kanë shtetësinë shqiptare.
Kushtet për fitimin e shtetësisë shqiptare për refugjatët
-Fitimi i shtetësisë nga refugjatët apo personat në mbrojtje plotësuese
-Ka mbushur moshën 18 vjeç;
-Ka zotësi juridike për të vepruar;
-Ka qëndruar në mënyrë të ligjshme dhe ka banuar për një periudhë të vazhdueshme për jo më pak se 10 vjet, në territorin e Republikës së Shqipërisë.
-Ka banesë në përputhje me standardet e miratuara të banimit në Republikën e Shqipërisë;
-Disponon të ardhura ose burime financiare të ligjshme, të mjaftueshme për jetesën në Republikën e Shqipërisë;
-Nuk ka qenë i dënuar në shtetin e vet, në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet të tretë për vepra penale, për të cilat ligji shqiptar parashikon dënime me jo më pak se 3 vjet heqje lirie.
-Zotëron njohuri të gjuhës shqipe, të folur dhe të shkruar, të certifikuar nga institucioni përkatës arsimor publik, si dhe njohuritë bazë të historisë dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sipas rregullave të përcaktuara me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin;
-Nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë.