Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka liruar nga masa ‘arrest me burg’ ish-portierin e Vllaznisë dhe ish trajnerin e Kombëtares së Femrave, Armir Grima.
Apeli i Krimeve të Rënda ka dhënë masën ‘arrest shtëpie’ për Armir Grimën, i arrestuar tetorin e vitit të kaluar si pjesë e grupit kriminal të Safet Bajrit.
Grima ishte pjesë e grupit prej 11 personash të arrestuar në operacionin policor Oaz” të shtrirë në Tiranë, Shkodër, Roterdam dhe Holandë.
Grima ka qenë portier i ekipit të futbollit të Vllaznisë në vitet 1998-2001, kohë kur ky ekip është shpallur kampion. Ai ka qenë edhe drejtor teknik i skuadrës, ndërsa ka mbajtur herë pas here edhe pozicionin e trajnerit në momentet kur Vllaznia ka pasur probleme.
Armir Grimaj është zbuluar rastësisht nga përgjimet telefonike dhe akuzohet për trukim ndeshjesh. Ndeshja, për të cilën akuzohet trajneri i Kombëtares së Femrave, Armir Grimaj, është ajo e luajtur më datën 5 maj të vitit 2018 mes Vllaznisë B dhe Tërbunit. Ndeshja ishte përcaktuese për Vllazninë B, e cila kërkonte që të mbijetonte në Kategorinë e Parë, në grupin B të saj.