Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në inspektimin e Rezonancës Magnetike pranë QSUT-së. Ky aparat është i vetmi që gjendet në territorin shqiptar, me një fuqi që lejon ekzaminime sa më të sakta. Për rritjen e cilësisë së ekzaminimit janë aplikuar edhe software të reja, që bëjnë të mundur diagnostikimin e sëmundjeve që janë më të rralla.
Me anë të kësaj aparature moderne, sëmundje të tilla si epilepsia etj. do mund të dekriptohen plotësisht; dhe tashmë Shqipëria ka kapur nivelin e spitaleve universitare të Europës.
Ministrja tha se tani në QSUT ofrohet një shërbim i plotë, pasi ka 7 rezonanca , 24 skanera, 5 angiograf dhe 3 akselerator.
“Plotësojmë 80 % të nevojave për këto diagnostika, të cilat janë shumë të rëndësishme, qoftë për diagnostikimin e patologjive të ndryshme, qoftë edhe për ndjekjen e mëtejshme. Jemi duke investuar edhe për kërkimin shkencor.”
Para 2013-ës kishte vetëm 4 rezonanca, të cilat ishin të gjitha të pa mirëmbajtura dhe pa asnjë element sigurie. Modernizimi i QSUT-së me aparatura të kohës së fundit ul shpenzimet për qytetarët, të cilat më përpara, për shkak të mungesës në shtet ishin të detyruar t’i bënin ekzaminimet rutinore në spitalet private.
Ndërkohë, ministrja e shëndetësisë shpjegoi se investimi më i ri është dhe rezonanca në Elbasan. Që nuk i detyron qytetarët të vijnë në QSUT, por nëpërmjet telemjekësisë mund të konsultohen me mjekët më të mirë për të pasur edhe eficiencë më të lartë.