Paralel me demonizimin që i është bërë klasës politike ndër vite, është kërkuar dhe një e re, një ndryshe, me moral dhe vizion të ri. Në fakt ka patur. Kohë pas kohe, në politikë kanë hyrë shumë të rinj, por që kanë rezultuar si dështim i madh. Thjesht për faktin se kanë rezultuar “të vjetër”.
Pra, kanë rezultuar, ose janë detyruar të jenë kopje e të vjetërve që i kanë sjellë aty. E reja dhe e ndryshmja u ka munguar pikërisht nga ky fakt; nga ajo që te politika janë gjendur jo nga aftësia e tyre por nga katapultimi.
Dhe në mungesë të kësaj natyrshmërie në rrënjë të raporteve me politikën, kanë efektuar zinxhir panatayrshmërinë dhe mungesën e identitetit politik në të gjithë performacën publike. Dhe Lulzim Basha përbën simbolin e kësaj dukurie.
I ri, i shkolluar në Perëndim, pa implikime me të kaluarën komuniste, ai duhet të qe fiks produkti i një konteksti të ri zhvillimor në Shqipëri. Për fat të keq nuk është. E për këtë mjafton gjuha, ligjërimi. Ky i fundit është një ndër treguesit, e ndër më kryesorët, i cili shpalos të renë, të ndryshmen, vizionaren. Ndërsa Basha e shfaq këtë mungesë dhe si krizë personaliteti.
I katapulutuar nga Berisha jo për ndonjë talent a të dhënë të veçantë aftësish e potence politike, ai është detyruar të riprodhojë babanë e tij politik, e për këtë mjafton gjuha.
Jo me aksentin e Berishës, jo me zvargimin në artikulimin e tij, por me të njëjtën egarshani e retorikë të vrazhdë, Basha po i bën jo vetëm një shërbim akoma më të keq politikës duke ia ndyrë akoma më tepër ligjërimin, por po e lë të pakuruar e reformuar dhe personalitetin e tij politik. Jo më kot, sot ai gëzon një reputacion mjaft të ulët, duke patur si ilustrim të qartë krizën evidente të PD-së, edhe prej rezultateve elektorale katastrofike.
Si detaj më i fundit i kësaj gjuhe të fotokopjuar, ishte një fjali nga më e fundit deklaratë e bërë mbrëmjen e saj martës.
“E gjithë Shqipëria dhe e gjithë bota e pa se si në Parlament Edi Rama i hoqi opozitës edhe të drejtën elementare më kushtetuese, të drejtën për të folur”.
“E gjithë Shqipëria dhe e gjithë bota e pa…”…ok Shqipëria, po pse dhe bota? Naivitet? Sigurisht, por jo vetë kaq. Është tipike një fjali e marrë nga leksiku i Berishës. Ky i fundit, duke lënë mënjanë epitetet e pafund në adresë të kundërshtarit – Rama është vetëm një prej të shumtëve në vite – e ka mani hiperbolizimin e të keqes te rivali, absolutizimin e kësaj të keqeje, ku fut në punë dhe gjeografinë. Pra, ajo që ndodh në Shqipëri përjetohet në të gjithë botën, apo se tjetri, kundërshtari, të keqen e ka në nivele botërore.
Nuk dihet nëse është e qëllimtë apo e vetvetishme, ajo shfaqje turfullonjëse ku përzihet urrejtja me mungesën uluritëse të një etike minimale, por dhe të një inteligjence po aq minimale, për të respektuar së paku inteligjencën e publikut në një mirëartikulim në portretizimin e kundërshtarit.
Fakt është se nëse publikut, njerëzve, shoqërisë, nuk u dhuron dot së paku komoditet etik, një relaks gjuhësor, vështirë t’u dhurosh mirëqenie. Sepse, siç e kemi parë në gjithë këto vite, vrazhdësia ligjërimore deri në egërsi, ka shkuar krahpërkrah me produktin real politik: një Shqipëri e egër, e vrazhdë dhe e keqqeverisur; pra po ashtu si dhe gjuha./tesheshi