Jose Mourinho gjeti një punë të re pa u mbushur mirë muaji, që nga shkarkimi i tij nga Manchester United.
Trajneri portugez do të jetë në rolin e komentatorit për platformën televizive “beIN Sports”, për të komentuar ndeshjet e Kupës së Azisë dhe ato të Premier League.
Për 56-vjeçarin, kjo është hera e dytë që e bën këtë rol, pas Botërorit të Rusisë vitin e kaluar.
Portugezi do të përfitojë 68 mijë euro për ndeshje, por me një kusht: Nuk duhet të thotë asnjë fjalë për ish-skuadrën e tij, Manchester United.
“Djajtë e kuq” e shkarkuan Mourinhon duke pranuar që t’i paguajnë edhe një dëmshpërblim prej 20 milionë eurosh, por në akordin me të u përfshi një klauzolë, që nuk e lejon atë të flasë për motivet e largimit, në rast të kundërt do të humbasë një pjesë të mirë të këtij përfitimi.
Ndërkohë, zërat e merkatos vazhdojnë ta lidhin emrin e Mourinhos me Realin e Madridit, ashtu sikurse po ndodh edhe me Allegrin e Pochettinon. Një pjesë e mirë e bordit drejtues të “Los Blancos” është kundër rikthimit të tij në “Bernabeu”, por në fund, ai që do të vendosë është gjithnjë presidenti Perez.