Megjithëse rastet e ndarjeve dhe fundeve të detyruara të dashurive në komunizëm kanë qenë të shumta, asnjë histori nuk i ngjan tjetrës. Studentët që studiuan jashtë e që sot janë në Shqipëri plot me kujtime vajzash të bukura ruse o franceze, e dinë mirë këtë. Nazif Bezhani, ish kryetar i Komisionit Shtetëror për Kontrollin e Figurës së Zyrtareve dhe Personave të Lartë, në ribotim e librit të tij “Mëkatarë” pat shkruar për historinë e Albert Nokës dhe Anës. Studentit që befas iu ofruan studimet në Francë ku u dashurua me Anën, pa e ditur se çfarë e priste më pas…
PJESË NGA LIBRI “MËKATARË”
Në dosje gjendej edhe plani i veprimeve të sofistikuara për të siguruar pranimin e bashkëpunimit nga studenti Albert Noka. Tentativa e parë për të krijuar kushtet e ofertës nuk pati sukses, për shkak se Alberti nuk kishte shkuar në fushën sportive, ku luante me skuadrën e shkollës. Të dielën tjetër, ai shkoi në ndeshje, u zhvesh pranë portës dhe i la rrobat pranë togut të shokëve të tjerë. Kur mbaruan, një nga shokët, që vishej i pari, jep alarmin për vjedhjen e portofolit të tij, me dyzet mijë lekë. Të gjithë shikojnë njëri-tjetrin me habi: Si është e mundur?! Pranë togut me rroba nuk ka patur vizitorë të tjerë! Kur Alberti mori pallton, vuri re se ishte paksa më e rëndë në njërën anë. Ai kontrolloi xhepin dhe nxori andej një portofol që e futi në trishtim: – Më besoni, as kam parë dhe as kam vënë gjë! Edhe pse Alberti erdhi i fundit në fushë, shokët nuk dyshuan për të, sepse e njihnin karakterin e tij. Por kjo nuk mjaftoi që këtë çështje ta hetonte edhe Dega e Punëve të Brendshme. Alberti u thirr nga një zyrtar civil, që nuk e kishte parë më parë, dhe u pyet për ngjarjen. Shpjegimi i tij ishte i qartë e bindës, por oficeri civil ia preu shkurt: – Dëgjo, Albert! Ti e di që Kryetari i Degës është mik i babait tuaj. Ai u shqetësua shumë kur mori vesh për ngjarjen. Ne të besojmë ty,
besojmë se ai portofol është vënë në xhepin tënd nga ndonjë provokator, me qëllim që të të poshtërojnë ty dhe familjen tënde. Është vërtet e habitshme që të gjithë ju nuk keni parë njeri t’i afrohej
togut me rroba, por duhet të jemi realistë, në kushtet e lojës, askush nga ju nuk e ka mendjen te rrobat. Të gjithë shikojnë topin. Apo jo!? E, pra, nuk mund të ketë shpjegim tjetër, prandaj, çështjen e quajmë të mbyllur, por me ty kam një problem të veçantë.
Tani që mbarove shkollën, ç’ke menduar për jetën tënde? Alberti nuk e priste një qëndrim të tillë, kaq dashamirës, dhe e shikoi në sy me dyshim, por oficeri civil vazhdoi: – Ju thashë se kemi dëshirë t’ju
ndihmojmë që të çani në jetë, të siguroni një të ardhme dinjitoze, për vete e për familjen tuaj të nderuar. Ne dëshirojmë të përdorim ndikimin tonë për t’ju siguruar një bursë për jashtë shtetit, ku të
dëshironi ju, por me kusht që ju, politikisht, të ndiqni shembullin e babait, që ka qenë i lidhur me Partinë dhe Pushtetin Popullor, si mishi me thoin. Do të jeni i tillë, patriot? Do të bashkëpunoni me ne për të ruajtur Shqipërinë nga armiqtë e saj shekullorë? Po apo jo?
Alberti nuk pati kohë të thellohej dhe pranoi menjëherë. Dhe pas kësaj filloi drama e tij, deri ditën që u paraqit për të dhënë shpjegimet para Komisionit Shtetëror të Kontrollit të Figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë. Por e gjithë kjo histori pasqyrohet nëpërmjet disa aventurave, që herë rëndojnë e herë e lehtësojnë pozitën e tij, prandaj u pa i domosdoshëm ky takim, për të hedhur
dritë mbi të gjitha ngjarjet. Albertit i dhanë bursë, sipas kërkesës së tij, në Francë. Lidhja e tij si informator i Sigurimit të Shtetit iu dërgua me shifër sekretarit të Ambasadës. Ai e porositi atë që ta informonte rregullisht për shokët e tij, veçanërisht për veprimet e tyre në përkrahje të kulturës dekadente perëndimore.
Gjatë vitit të parë, Alberti kishte dhënë vetëm dy informacione për shokët, të cilat ruheshin në dosje. Në njërin bënte fjalë për një student të kursit të tij, që kishte frekuentuar një lokal luksoz të Parisit dhe kishte kërcyer në stilin perëndimor. Ndërsa në informacionin e dytë, bëhej fjalë për një koleg që dashurohej me një vajzë të aristokracisë franceze dhe kishte deklaruar se do të fejohej me të.
Por, përveç këtyre, siç del nga karakteristika vjetore, e firmosur nga sekretari i Ambasadës, ai është takuar personalisht me rezidentin, të cilit i ka dhënë hollësi të tjera verbale, që nuk pasqyrohen në dosje. Gjatë vitit të dytë nuk është dhënë asnjë informacion me shkrim, por rezultojnë disa përgjigje që i ka dhënë sekretarit të Ambasadës, kur është pyetur për dy persona të tjerë. Ndërsa aty nga muaji maj u zbulua se Alberti kishte rënë vetë në dashuri me një shoqe të shkollës, e cila ishte vajzë e një gjenerali francez. Ajo i ishte futur në zemër aq shumë, sa nuk e largonte dot asnjë çast nga mendja. Por edhe pse takimet me të i bënte të kufizuara, edhe pse nuk guxonte t’i thoshte asnjërit për atë që i kishte ndodhur, sigurimi kishte shumë sy për ta parë dhe shumë duar për të shkruar raporte.
Një raport i tillë, i hollësishëm, i kishte shkuar sekretarit të Ambasadës për Albertin, në fillim të muajit qershor, pikërisht kur ai po përgatitej të kthehej në Shqipëri për pushimet verore. Para nisjes, atij i duhej të jepte llogari e të djersinte para sekretarit të Ambasadës, ndoshta edhe të drithërohej përsëri nga ndonjë masë e paparashikueshme. Ankthin e tij e shtonin edhe të panjohurat: Kush vallë e kishte raportuar atë në Ambasadë?! Kush vallë dinte aq hollësira mbi të dashurën e tij?! Gjithçka është e qartë: Sigurimi përgjon këdo, duke përfshirë edhe njerëzit që i quan të tij. Përballë kësaj situate, Alberti vendos të mohojë çdo gjë, të pranojë vetëm faktin që njihet me të, por thjesht si shokë.
Dhe kështu veproi, por, me këtë qëndrim të vendosur, ai kapërceu lumin vetëm këtë radhë, sepse, vitin e tretë, sytë dhe duart e sigurimit kontrollonin vazhdimisht lëvizjet e tyre, sado të fshehta që
ishin, derisa, më në fund, ajo dashuri platonike shpërtheu hapur e pa ndrojtje.
Dy të rinj duhen me shpirt dhe për dashuri nuk ka kod penal! Kështu mendonin të rinjtë, por sigurimi mendoi krejt ndryshe. Ai i preu bursën Albertit; e përjashtoi nga radhët e veta dhe e ktheu në atdhe, duke e akuzuar rëndë për marrëdhënie intime me një agjente të shërbimit të huaj! Me kthimin e Albertit në Shqipëri, filloi një dramë tjetër e tij. Qysh kur zbriti në Rinas, agjentët e sigurimit të shtetit
ishin pas dhe kontrollonin çdo veprim të tij. Me një urdhër të posaçëm ishte vënë në kontrollin 2/A, që funksionon gjatë 24 orëve dhe që zakonisht përdoret për raste të veçanta, sidomos për personat me rrezikshmëri shoqërore të theksuar. Në këtë kategori ishte futur edhe Alberti, të cilin, fillimisht, për t’i hequr dyshimet, e emëruan gazetar, dhe, sikur asgjë të mos kishte ndodhur, e këshilluan të ishte i përkushtuar në punë, për të pasqyruar me objektivitet arritjet e mëdha të popullit nën udhëheqjen e Partisë e të Pushtetit Popullor.
Kryeredaktori, pasi kishte vënë re gjendjen e tij të rënduar shpirtërore, deshi ta inkurajonte duke i thënë: – Dëgjo, shoku Albert, të gjithë kemi gabuar, nuk mund të ketë njerëz të pagabueshëm, por e rëndësishme është njohja e gabimit dhe nëpërmjet punës të bëhet ndreqja e tij. Më shikon mua këtu?!
Dy herë kam marrë vërejtje të rëndë, por jam përgjigjur me autokritikë dhe me gatishmëri për t’i shlyer nëpërmjet punës. Ju jeni ende shumë i ri dhe keni kohë të bëni çdo riparim për të shlyer plotësisht gabimet tuaja, keni kohë dhe mundësi të arrini kulme lumturie. Alberti i dëgjonte me vëmendje këto fjalë dashamirëse, që i dukeshin të sinqerta e i jepnin shpresë për ndërtimin e së ardhmes së
tij. Por, edhe sikur fjalët e ëmbla të kryeredaktorit të bëheshin realitet, Bertit i kishte mbetur një plagë e madhe në zemër, që i shkaktonte dhimbje të përjetshme shpirtit të tij, për ndarjen nga e dashura, që aq shumë e deshi.
Kryeredaktori, me sa duket, në dijeni të kësaj drame, shtoi me lezet: – Në moshë të re njeriu mund të gabojë lehtë. Unë, kur isha student, desh rrezikova të ardhmen time, sepse dashuroja vajzën e një latifondisti, të cilën e doja marrëzisht, por një miku im i ngushtë më tha: “Largohu prej saj, edhe pse do të të shkaktojë plagë”. Më dëgjo mua, plagët e një femre i shëron një femër tjetër, bile shumë shpejt. Alberti e kuptoi se ku qëllonte gjuha e tij, por nuk u përgjigj. Në fakt, ai nuk besonte se plagët e dashnores së tij do të shëroheshin, edhe sikur të merrte për grua të bukurën e Dheut. Megjithatë, këshillat e kryeredaktorit i pranoi në heshtje. Emërimi gazetar i Albert Nokës ishte një lojë e Sigurimit të Shtetit, për t’i krijuar mundësi atij apo zbulimit francez, që të bënin ndërlidhjen e tyre. Kontrolli 2\A, që ishte vendosur për Bertin, natyrisht ishte edhe për persona të tjerë të dyshuar, ndërsa mbi Ambasadën Franceze në Tiranë vepronte ditë e natë një kontroll i sofistikuar, me aparate përgjimi të blera kripur në Perëndim. Asnjë nuk i shpëtonte kontrollit të rreptë të Sigurimit.
Në dosjen e Bertit është një informacion i përkthyer në shqip, nga gjuha frënge, që i është përcjellë me shifër qendrës së Shërbimit Sekret të Francës, ku, ndër të tjera, i thuhej: “”Vogëlushi”
(pseudonimi i Bertit) është gazetar, por është tepër i vështirë komunikimi me të. Ndoshta do të ndryshonin kushtet në rast se do të sillnit këtu, në Ambasadë, të dashurën e tij. Por paraprakisht ajo
duhet të emërohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të krijohen kushtet e korrespondencës midis tyre.” Dhe nuk vonoi kur nga Parisi vjen letra e parë e së dashurës, që e bëri Bertin të lotojë.
Pasi mori letrën, i shkroi me pasion dhe me shpresë se do të vinte shpejt dita, që, para dashurisë së tyre, të uleshin edhe malet. Këtë letër e kishte filmuar Sigurimi i Shtetit dhe origjinalin e kishte lënë të shkonte në Paris. Teknika e Sigurimit të Shtetit, ato ditë, zbuloi edhe një nga provat më të rëndësishme të zbulimit francez. Në një telegram shifër, të dërguar Ambasadës, i thuhej se nga “vogëlushi” nuk duhej pritur shumë.
Qëllimi është që nëpërmjet tij të sigurohet lidhja me shokun e tij të ngushtë, “Skifterin”, që është në Kukës. Dhe Ambasadës i erdhi po në shifër përgjigjja: “Propozimi për emërimin në Ministri të Anës (e
dashura e Bertit), u zbatua. Ajo filloi edhe korrespondencën me “vogëlushin” dhe shpejt mendojmë ta dërgojmë në Tiranë.” “Skifteri” kishte qenë shok me Bertin, por ai ishte transferuar në Kukës, gjithashtu nën kontrollin e rreptë të Sigurimit. Ato ditë Sigurimi kishte kapur edhe një letër që Berti i dërgonte “Skifterit”. Ajo u kopjua dhe u diskutua gjerë, për shkak se ishte shkruar frëngjisht dhe në fund nuk ishte vënë emri i tij, por pseudonimi “vogëlushi”. Në letër nuk kishte ndonjë gjë të rëndësishme, por fakti që shkruhej në gjuhën frënge dhe me pseudonim, kishte domethënie dhe duhej vlerësuar. Për “Skifterin” kishte edhe të dhëna të tjera, si takimi i tij me një zbulues francez, etj. Prandaj u mor vendim për arrestimin e tij. Ishte e sigurt se në objektin e hetimit do të ishte dhe letra e “vogëlushit”, por ajo letër nuk mund të mos përdorej edhe kundër Albert Nokës, të
cilin e thirrën në Degën e Punëve të Brendshme, këtë herë me një qëndrim tepër të ashpër. Atij iu komunikua se ishte arrestuar miku i tij, armiku i Partisë e i Shtetit, tradhtari i kombit, të cilit i kishin gjetur edhe dokumentin sekret, me pseudonimin “vogëlushi”, që i kishte dërguar Berti. Kjo letër, edhe pse nuk përbënte asnjë provë për veprimtari të kundërligjshme, u përdor nga organet e Sigurimit të Shtetit për shantazh kundër Bertit, duke e kërcënuar me arrestim. Në këtë situatë të rëndë, më në fund, Berti kishte pranuar si rrugëzgjidhje të firmoste përsëri deklaratën e bashkëpunimit si informator i Sigurimit të Shtetit, pra, vihet për të dytën herë në shërbim të tyre. Kuptohet, natyrisht, se këtë kontratë e pranoi vetëm për të kapërcyer edhe njëherë lumin, sepse në dosje nuk ka asnjë informacion të dhënë prej tij.
Pikërisht, për arsye të mungesës së efektivitetit dhe të dëshirës për të dhënë ndihmesën e tij, u mor vendimi për ta përjashtuar përsëri nga organet e Sigurimit të Shtetit. Ishte koha kur teknika e përgjimit kishte deshifruar edhe një telegramshifër që i dërgohej Ambasadës Franceze, ku ndër të tjera i thuhej se Ana ishte emëruar në atë ambasadë dhe do të nisej brenda muajit. Ky telegram e përkeqësonte
shumë gjendjen e Bertit. Ai nuk duhej lejuar, në asnjë mënyrë, të takohej me Anën, prandaj, për të shmangur mundësinë e takimit me të, u vendos transferimi i tij në Shkodër, me detyrë mësues i letërsisë, me banim të detyruar në atë qytet.
Dhe, në prag të masës tjetër, të arrestimit të tij, si të ishte pelivan, ai eci me kundërpesha, për të mos u rrëzuar, derisa arriti vitet e demokracisë. Komisioni vuri në peshë vitet që kishte kaluar, por ishte i vështirë gjykimi. Si duhej konsideruar vallë, me gjykim të ftohtë e të drejtë, Albert Noka, si informator i Sigurimit të Shtetit, me pseudonimin e parë “fenomeni” dhe të dytin “shelgu” apo si një i
persekutuar politik, i përndjekur dhe i survejuar si njeri i rrezikshëm!? Në gjykimin e tij pati edhe një dosje që i përkiste qëndrimit gjatë proceseve demokratike, e vlerësuar pozitivisht. Alberti kishte shpëtuar nga drama e tij, por atë tani e përjetoja unë, që nuk isha në gjendje të formoja një gjykim të drejtë, që të pasqyronte ndërgjegjen tonë, të mbështetur plotësisht në dispozitat ligjore./Zathur/