I ashtuquajturi “baroni i drogës”, Klement Balili, më në fund ndodhet në duart e organeve të drejtësisë.
Në fakt, sipas një informacioni të publikuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, Balili është vetdorëzuar, por sipas Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, ai është arrestuar.
Pavarësisht këtij detaji, e rëndësishme është se një nga “peshqit e mëdhenj”, tashmë është në duart e drejtësisë dhe rrezikon të tërheqë dhe të tjerë pas vetes, duke filluar nga Presidenti Ilir Meta.
Klement Balili, i njohur si Escobari i Ballkanit, ishte në kërkim që prej majit 2016.
Kujtojmë se Balili është një eksponent i lartë i LSI –së, pasi nën siglën e saj, ka mbajtur postin e Drejtorit të patentave të Sarandës.
Pak muaj pas zgjedhjeve parlamentare, në tetor të vitit 2013, mes aleancës Rama-Meta, u bë edhe ndarja e tepsisë.
LSI-mori pesë nga drejtoritë kryesore ku mes tyre ishte edhe Drejtoria Rajonale e Kontrollit të Automjeteve, ku në Sarandë, në Drejtorinë e Patentave emëroi Klement Balilin.
Urdhërarresti për Balilin është lëshuar nga policia greke në maj 2016, kur Balili ishte emëruar drejtor i Drejtorisë së Transportit Rrugor Sarandë.
Përveç kësaj janë edhe një sërë faktesh që lidhin Ilir Metën me Klement Balilin.
Faktet
Pas emërimit në krye të Drejtorisë së Patentave të Sarandës, Balili pati mbështetje për bizneset e tij, nga Ilir Meta që në atë kohë ishte kreu i Kuvendit.
Verën e vitit 2015 në qytetin bregdetar të Sarandës, Ilir Meta inauguroi kompleksin turistik “Santa Quaranta”, në pronësi Balilit.
Një tjetër lidhje mes Balilit dhe Metës, është edhe nipi i tij Rigels Balili, i cili ka qenë në momentin e dorëzimit.
Rigels Balili është aktualisht kryetar i Bashkisë së Delvinës, kandiduar nga LSI –ja në vitin 2015. Në atë kohë LSI –ja ishte në koalicion me Partinë Socialiste. Sot LSI është në koalicion me Lulzim Bashën.
Klement Balili është ekskluzivisht miku por dhe drejtuesi politik i Ilir Metës dhe LSI-së në Sarandë.
Në kohën kur Klement Balili u shpall në kërkim u tha se ishte LSI dhe Ilir Meta që e ndihmuan të arratisej.
Sot ai është dorëzuar dhe tashmë sipas të gjitha fakteve të mësipërme s’ka asnjë dilemë, nëse është Klement Balili apo jo njeri i Ilir Metës/CNA.al