Pranë çdo sekretarie të çdo fakulteti, janë angazhuar dy përfaqësues nga ministria e Arsimit dhe ajo e Financave, me qëllim funksionimin e skemës së informimit për studentët ndaj bursave dhe përgjysmimit të tarifave të shkollimit.
Agjencia Telegrafike Shqiptare vka ndjekur nga afër ditën e parë të punës së këtyre përfaqësuesve në lidhje me informimin e studentëve, përkatësisht në Fakultetin e Ekonomisë dhe atë të Histori-Filologjisë.
“Jemi të pranishëm këtu, nga ora e parë e ditës së punës dhe kemi parë që pjesa organizative e ndërmarrë nga institucioni në qëllimin për të përcjellë të gjithë informacionin e nevojshëm të gjeneruar përmes akteve nënligjore të ndërmarra kohët e fundit nga qeveria shqiptare në kuadër të Paktit me Universitetin. Kemi parë që është strukturuar një skemë informimi për studentët. Unë do ta vlerësoja efikase, duke marrë në konsideratë të gjitha mënyrat e komunikimit, platformat përkatëse virtuale apo pikat e komunikimit publik në qendër të institucionit. Shohim që studentët kanë marrë informacionin e duhur dhe ajo që doja të nënvizoja është që ne jemi këtu për të kuptuar situatën dhe efektivitetin e këtij komunikimi por edhe për të sqaruar çdo nevojë që mund të lindë për dispozitat e caktuara të këtyre akteve nënligjore”, -tha Dritan Sallaku, përfaqësues i ministrisë së Arsimit pranë Fakultetit Histori-Filologji.
Nga ana e saj, Esjona Mullaymeri pranë Fakultetit të Ekonomisë nënvizoi se situata paraqitet e qetë ndërsa studentët janë interesuar për dokumentacionin dhe afatet e dorëzimit.
“Në zbatim të urdhrit të Kryeministrit por edhe të ministres së Arsimit, në çdo fakultet të Shqipërisë ne kemi nga një përfaqësues që asiston të gjitha problematikat e studentëve. Mesa shoh situata është e qetë. Ka pasur shumë studentë që janë interesuar me procedurat apo dokumentacionin që duhet të paraqesin. Mund të them që i është dhënë përgjigje çdo studenti deri tani, do të vazhdojmë edhe në ditët në vijim për t’i asistuar dhe ndihmuar në çdo problematikë që ata mund të kenë”, -theksoi përfaqësuesja e Arsimit.
E pyetur nga ATSH nëse është hasur me problematika nga ana e studentëve, ajo ka thënë se këta të fundit janë surprizuar që kanë marrë përgjigje.
“Studentët nuk kanë paraqitur asnjë problem. Kanë qenë shumë të kënaqur me përgjigjet që janë dhënë si dhe të surprizuar që po marrin përgjigje për çdo pyetje”, -tha ajo.