Elisabeta Imeraj është emëruar drejtuese e komanduar në krye të Prokurorisë së Tiranës, në muajin gusht të vitit të kaluar.
Imeraj u emërua pas shkarkimit të Dritan Rreshkës nga procesi i Vettingut.
Emërimi i saj u pasua me zhurmë të madhe, a thua se Silvia Konti erdhi në krye të Prokurorisë së Tiranës.
Imeraj nuk e kaluar ende Vettingun, por kjo mungesë u justifikua me pretendimin se ajo do të ndryshonte rrënjësisht Prokurorinë e Tiranës.
Por, kur kanë kaluar gjashtë muaj, në drejtim të Prokurorisë së kryeqytetit, rezultatet e prodhuara nga Imeraj, janë të padukshme.
Ish- prokurorja e dosjes së Saimir Tahirit, e cila u bëri gol kolegëve dhe me dosjen e Shullazit, po vijon të drejtojë Prokurorinë më të dështuar në vend.
Askush nuk mund të thotë sot, se çfarë ka bërë gjashtë muaj në krye të Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj.
Çdo ditë pothuajse mbyllen vetëm dosje, nuk ka asnjë zyrtar të lartë të proceduar penalisht apo investiguar imtësisht nga Prokuroria.
Ndërkaq hajdutët e politikës dhe mbështetësit e tyre janë rrugëve të Tiranës. Gjobaxhinjtë e krimit janë rrugëve të Tiranës dhe as prokurorja Imeraj dhe as vartësit e saj, nuk merren me ta.
Në Prokurorinë e Tiranës dënohet ndonjë hallexhi, mbyllet ndonjë dosje dhe gjithçka vazhdon ashtu siç ka qenë.
Prokuroria që pritej të kishte një performacë tjetër me vajtjen e të ndershmes, prokurores së pakorruptuar Elisabeta Imeraj, nuk ka bërë asgjë, është njësoj si prokuroritë e tjera.
Avazi vijon, lufta e shumëpërfolur ndaj krimit dhe korrupsionit me emërimin e Elisabeta Imerajt, ka dështuar.
Të korruptuarit janë jashtë, korrupsioni dhe krimi vazhdojnë, kriminelët janë rrugëve dhe prokuroria nuk bën asgjë, por vetëm “fle” mbi dosjet e krimit dhe korrupsionit.
Mbi këto dosje Elisabeta duket se ka vënë jastëkun dhe mbështet kokën e saj.
Çështjet e nxehta
Njëra prej çështjeve të nxehta dhe më të debatuara në opinionin publik është lobimi i PD në SHBA.
Hetimet për këtë rast para nisën rreth një viti e gjysëm.
Konkretisht, në muajin Nëntor të vitit 2017, Prokuroria e Tiranës njoftoi se ka nisur verifikimet për kontratën e Partisë Demokratike me disa kompani lobimi në SHBA, të cilave u janë paguar nga selia blu 1 milion dollarë për të siguruar mbështetje politike nga Uashingtoni.
“Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin kryesisht për veprat penale të parashikuara në nenet 190 dhe 257/a të Kodit Penal, në vijim të publikimeve mediatike mbi kontrata lobimi të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë. Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria e Tiranës ka nisur kryerjen e veprimeve të nevojshme proceduriale”, thuhet në njoftimin për shtyp të Prokurorisë.
Ndërkohë për këtë rast ende nuk ka asnjë lëvizje nga Prokuroria e Tiranës.
Me emërimin e Imerajt në krye të Prokurorisë së Tiranës, pritej dhe rihapja e hetimeve për rastin e Ardit Gjoklajt, gjë që s ‘ndodhi.
Kujtojmë se ish-kryeprokurori i Tiranës Petrit Fusha, pas nje darke me Erion Veliajn, dyshohet se e mbylli rastin tragjik të Ardit Gjoklajt.
Edhe pasardhësi i tij, Dritan Rreshka, heshti për këtë rast. Dhe të njëjtën linjë duket se po e ndjek dhe Imeraj.
Të tjera çështje që janë konsideruar të nxehta dhe të nevojshme për t’u hetuar janë ndërtimi i parkut të lojërave tek liqeni si dhe çështja për parkingun e sheshit ‘Skënderbej’./CNA.al