Ish-kryegjyqtari i Gjirokastrës Guximtar Boçi ka kërkuar rikthimin në detyrën e mëparshme dy vjet pas pezullimit të tij në këtë detyrë. Kërkesa e tij vjen pas shpalljes së pafajësisë me një vendim të Gjykatës së Apelit Vlorë në muajin shtator të vitit 2018.
Në kërkesën bërë në datën 20.12.2018 për revokimin e masës së pezullimit të ushtrimit të detyrës së gjyqtarit dhënë me vendim nr 102. Dt 28.10.2016 të KLD, të siguruar nga “BalkanWeb” theksohet se shkarkimi u krye në 28.10.2016 pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme me kërkesë të ministrit të drejtësisë së kohës.
“Sipas procesverbalit të kësaj mbledhjeje rezultoi se një pjesë e mirë e anëtarëve të KLD kanë kërkuar shtyrjen e mbledhjes për të verifikuar rastin dhe për t’i dhënë personit të akuzuar të drejtën për t’u dëgjuar, por, gjithmonë sipas këtij procesverbali, vendimi i shkarkimit është dhënë pas këmbënguljes së Ministrit të Drejtësisë dhe kryetarit të KLD se mosmarrja e masave konkrete do t’i dënonte në sytë e opinionit publik”, thuhet në kërkesë.