Ashtu siç premtoi në dhjetor të vitit të kaluar për studentët, kryeministri Edi Rama ka mbajt fjalën e dhënë dhe prezantuar dje platformën online punëtëmbarë.al për punësimin e rreth një mijë studentëve ekselentë në administratë. Kreu i qeverisë u shpreh se kjo platformë nuk do bëhej realitet pa protestën e studentëve.
E kur nuk janë mbushur akoma 24 orë nga prezantimi i platformës nga kryeministri Rama, burimet bëjnë me dije se kanë mbërritur 64 aplikimet e para nga studentët, duke treguar interes të lartë mbi këtë vendim. Kjo është një ndër pikat e Paktit për Universitetin i cili sipas Ramës do te bëhet publik brenda janarit.
Ç’është punëtëmbarē.al-
Kjo platformë është një mundësi për studentët e ekselencës të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, duke filluar nga viti 2017 e në vijim, të cilët janë në kërkim të një eksperience në administratën publike. Të rinjtë duhet të kenë mbaruar minimalisht ciklin e parë të studimeve bachelor dhe/ose master profesional/shkencor me mesatare 9-10 (ose të baravlefshme me to) të secilit prej cikleve të studimit.
Qëllimi është përfitimi i një përvoje kualifikuese, e cila do të ndihmojë në zhvillimin e aftësive profesionale dhe në njohjen me administratën publike. Pasi të informoheni rreth nismës së re dhe pas konsultimit të vendeve vakante të kërkuara mund të vijoni me plotësimin e llogarisë dhe hedhjes së dokumenteve kryesore që duhet të plotësoni. Kjo thirrje do të hapet në datë 11 janar dhe do të zgjasë deri në 10 shkurt.