Opozita e bashkuar denoncoi mbrëmjen e djeshme një person që dhunonte studentët duke e cilësuar si “kriminel” dhe “bandit” që godet të rinjtë me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë, personi që shfaqet në videon e përcjellë nga forcat opozitare, është Xhevdet Braimllari, xhaxhai i deputetit të LSI-së Endrit Braimllari.
Agresori është drejtues teknik i “Myrto Security” dhe shfaqej duke sulmuar të rinjtë që protestonin për plotësimin e disa kërkesave të tyre.
Xhaxhai i deputetit të LSI-së, u shoqërua në komisariatin numër 2 në kryeqytet ku u mor në pyetje lidhur me ngjarjen.
Xhevdet Braimllari është i angazhuar politikisht ku djali i tij Eriol Brahimllari ka qenë i pranishëm në të gjitha konventat e Lëvizjes Socialiste për Integrim si dhe ka shërbyer si këshilltar i Ilir Metës.
Nga ana tjetër, Sali Berisha në reagimin e tij e quajti Brahimllarin si bandit të kryeministrit Edi Rama.
“Shikoni kriminelet dhe banditet qe godasin si kafshe me porosi te Edvinit studentet grevist ne fakultetin e Arkitektures.
Denoj me forcen me te madhe keto akte kriminale, ju bej thirrje mbare shqiptareve sot ose kurre te mbrojme studentet nga bandat e Edvin Urrejtjes dhe te shporrim qelbesiren! sb”, shkruan Berisha pa e ditur lidhjen me deputetin e LSI.