Kjo më habit, neglizhenca jonë. Dhe dashuria e pafund karshi këtyre kryetarë a kryeministra, partish etj. Aq sa kam përshtypjen se vendi tashmë, është plotësisht i angazhuar, vend partiakësh, jo qytetarësh.
Ilir Levonja
Ka disa ditë që puna e këtij gjyqtarit nga Fieri është dominante në webet tona. Dhe shumë syresh ngrejnë supet, gajasen, i vënë gojës dorën përsipër etj. Sikur çfarë ka ndodhur. Çfarë ka bërë ai gjyqtari?! Mirëpo në Shqipëri kudo ta lypin or zotërinjë, zonja a shoqe. Nuk e di përse habiteni. Kudo…
Tek gjendja civile për një çertifikatë. Tek përmbarimi. Tek patentat, tek kouladimi i mjeteve. Tek lejet e çiftes. Tek vërtetimet në fakultete. Tek posta. Tek abonentë, kartat e identiteti, pasaportat. Kudo. Në korridoret e spitaleve nuk bëhet fjalë, të rjepin deri sa të dali grima e fundit e frymës. Ku nuk të rrjepin e nuk ta lypin në Shqipëri? Ku? Në dogana?
Mos e fol. Të gjallë të rjepin. O ta marrin atë ”kafenë” e përqindjes, o kurrë nuk të zhdoganohet malli. Ne kemi postulat në gojë faktin, njoh unë dikë aty. Kam një mik. Ta rreugulloj unë. Shkojmë bashkë. Le të jetë edhe institut për studimet bërthamore ne, do ta modifikojmë ligjin, do i modifikojmë shkresurinat, do ta punësojmë për hatër të mikut një kasap. Jemi unikal për këtë… miku të bën artist, miku të bën shkencëtar. Miku të paguan për gjithë jetën qyl. Miku dhe partia…
A e dini se si mu përgjigj një herë një zonjë boll e kualifikuar. Dhe me një bagazh dijesh. Kur e pyeta pse e papunë. Më tha, sepse jam pa parti, nuk kam para të tepërta të jap, tua fus nën dorë, nuk di të hap shalët. Ja tre arsye ku mund të vdesësh i papunë.
Kjo është Shqipëria jonë vëllezër.
Megjithatë gajasemi me një gjyqtar që ta lyp. Që palos eurot në një lokal të zbrazët. I gjithi në dispozicion të tij. Të kujton ato pamjet e filmave me kapot e mafiozëve, kur uleshin dy koka e vulosnin. Përreth vetëm tavolina të zbrazta.
Dhe ky është fundi. Ose rënia në batak e një shoqërie e cila po e ha të gjallë vetveten.
A ka rrugë për ta ndalur këtë theqafje. Pa asnjë diskutim që ka. Duke filluar së pari nga shteti vet. Eshtë fare e kollajshme, çdo fund viti të verifikohen të ardhurat. Fare e kollajshme. E kemi përsëritur sa jemi bërë shkumaxhinj nga goja. Gjyqtar je zotrote? Po.. sa e ke pagën, sa ke marr për një vit. Dalin të gjitha. Kaq. Dhe çfarë janë teprica, kuptohet se nga vinë. Dhe me to merret ligji pastaj. Por ata nuk duan ta bëjnë këtë. Sepse, së pari u nxjerrin sytë vetvetes. Nuk duan ta bëjnë që nga qeveria. Shtetarët e ardhur me votë.
Së dyti nuk duan ta bëjnë as opozitarët. Lëre çfarë kërkojnë vetingun e figurave politike. Eshtë një blof spektakolar. Asgjë tjetër. Por ajo që më habit dhe që është e treta në radhë…, është fakti po ne, ju, të gjithë, si shoqëri përse nuk kërkojmë një veting rrënjësor nga 1990-ta e këtej. Një zbythje totale e kastës që erdhi nga apartamentet një dhomë e guzhinë, nga sekretariatet e partisë së punës, katovica etj., dhe që sot janë sipërmarrës a investitorë dhe në masën 100% i kanë nipërit e mbesat me studime jashtë duke varrosur traditën dhe universitetet tona. Pra për një katarsis kombëtar.
Dhe të gjitha këto me paratë e taksave, të rrjepjes, rryshfetit, lypjes, poshtërimit, burgosjes. Kjo më habit, neglizhenca jonë. Dhe dashuria e pafund karshi këtyre kryetarë a kryeministra, partish etj. Aq sa kam përshtypjen se vendi tashmë, është plotësisht i angazhuar, vend partiakësh, jo qytetarësh.
Ndryshe nuk ka se si shpjegohet kjo rënie, ky degradim, ky fund plot dimër thashethemesh e kamerash të fshehta.