Në debatin politik shqiptar, pas refuzimit të Ilir Metës për dekretuar si ministër të Jashtën, Gent Cakajn, është përfshirë edhe “Lëvizja Vetëvendosje” e Albin Kurtit, parti nga vjen edhe Caka.
Kjo parti në këtë debat mban krahun e Metës dhe pas reagimit të djeshëm, sot i ka drejtuar 7 pyetje Edi Ramës.
Deklarata e Vetëvendosjes
Ca pyetje kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë:
A e di gjë pse 23 anëtarë të kryesisë së PS dhe 73 deputetë të PS + qindra kryetarë degësh, nëndegësh dhe mijëra bashkëpunëtorë profesionalë socialistë nuk dalin të reagojnë por del Baton Haxhiu?
Pse je kaq i sigurtë në personazhe të errët si Hashim Thaçi dhe Baton Haxhiu dhe vë në dyshim ministrin dhe anëtarin e kryesisë së PS, z. Ditmir Bushati?
Nëse ka diçka të papranueshme në Ministrin e jashtëm aktual a mund t’ia tregosh të gjithë shqiptarëve, me këtë rast dhe socialistëve anëtarë, simpatizantë dhe votues?
Nëse Ilir Meta është i paditur, pse na e propozove dhe pastaj votove për President të Republikës së Shqipërisë?
Nëse je kundër shkëmbimit të territoreve, e thënë shqip, pra kundër ndarjes së Kosovës sipas planit të Vuçiçit a mund ta thuash këtë prerazi pa ekuivoke?
Nëse pretendon se e njeh G. Cakajn atëherë pse nuk ia keni bërë certifikatën e sigurisë nga drejtoria në vartësi tuajën që prej se e kishit këshilltar?
Që kur këshilltarët e tu, mandej zëvendësministra, e të propozuar për ministër të jashtëm si Gent Cakaj lejohen të nxjerrin në emisione televizive të Baton Haxhiut për 1 vit rresht komentet e sqarime nga takimet e tua nga ai me Kancelaren Merkel deri te ato brenda zyrave të Këshillit të Ministrave e tek kualifikimet e sulmet mbi subjektet politike në Kosovë?