Ish-zv.kryeministri i Maqedonisë shkruan sot se me mosdekretimin e Cakajt, Ilir Meta shpëtoi Ballkanin.
Në një shkrim, Festim Halili shprehet se Cakajt i duhet ende kalitje dhe guxim.
Ja çfarë shkruan Halili:
Riformatimi i qeverisë së Republikës së Shqipërisë ka nxitur debat në opinionin publik, respektivisht me mos dekretimin e propozimit të qeverisë për Ministër të Punëve të Jashtme të një djaloshi të ri nga Kosova. Në parim, gjithmonë kam qenë për rivitalizim të organeve qeveritare, legjislative dhe partiake me prurje të reja dhe për dhënie të mundësive shtresës rinore të shpreh potencialin, energjinë dhe elanin e tyre për progresivitet dhe përshpejtimit të qasjes dhe zgjedhjes së problemeve. Presidenti Ilir Meta në këtë rast nuk dha dritë jeshile për propozimin e emërimit të Ministrit të ri të Punëve të Jashtme, duke elaboruar dhe justifikuar vendimin e tij.
Nga këndvështrimi im, mendoj që një veprim i tillë duhet të shihet si i matur, me faktin që rajoni ndodhet në një situatë të komplikuar gjeopolitike dhe gjeostrategjike dhe nuk duhet rrezikuar me një aventurë të tillë, që një diplomat i rangut të z. Ditmir Bushati, me përvojë të lartë në sferën e integrimeve dhe diplomacisë të zëvendësohet me një djalë të ri, që besoj se i duhet akoma përvojë, kalitje dhe guxim për ballafaqim dhe dialog me homologët e shteteve fqinje në rradhë të parë, por edhe me ato të miqve ndërkombëtarë. Për më tepër, ministrja e sapo emëruar e Arsimit është nga Kosova, që nënkupton përfshirjen e trungut shqiptar të asaj treve në politikbërje.
Brenga ime ka të bëjë edhe me defokusimin nga kuadrot e shkëlqyera të shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët dijnë, kanë përvojë, guxim dhe janë të përgaditur për të mbartur mbi supe përgjegjësi të larta që do të jepeshin nga shteti amë, ashtu siç dikur mbante përgjegjësinë e ministrisë së Mbrojtjes së qeverisë së parë shqiptare të 1912 nga Mehmet Pashë Deralla nga Tetova.
Vlerësoj, që në situatat e reja politike të krijuara në rajon, shqiptarët e Maqedonisë duhet të jenë të përfshirë dhe inkluziv në politikbërjen e shtetit amë. Mos të harrojmë që këto treva kombit i dhanë dy nobelistë, Shën Nënë Terezën dhe Prof. Ferid Murad, prandaj përfshirja e faktorit shqiptar të Maqedonisë do ti jepte forcë dhe vitalitet tërësisë së funksionimin të qeverisë, por në rast nevoje edhe të organeve të tjera publike në Shqipëri.
P.s Autobusi kuq e zi u dërgua nga shqiptarët e Maqedonisë për të pritur në formë solemne kombëtaren shqiptare pas suksesit historik dhe kualifikimit në Euro 2016.